Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit, ku prezantoi dhe drejtorin e ri Artan Bajraktari. Balla ka thënë se ka drejtorë e shefa komisariatesh që kanë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore.
“Në Kodin Etik thuhet që thotë se drejtuesit e Policisë së Shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët.
Por jo vetëm kështu nuk ndodh, por ndodh fatkeqësisht që edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, të kenë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore.
Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshëllëk poshtërues për gjakun e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, përveçse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral”, tha Balla.
Më tej, ministri Balla u kërkoi strukturave policore të mirë-menaxhojnë dhe tregojnë kujdes të shtuar për flukset e lëvizjeve të pushuesve që hyjnë apo dalin nga pikat e kalimit kufitar me Kosovën./m.j