Eldi Zahiri, shoferi i kamionit ku u gjetën dhe bllokuan 574 kg hashash, identifikoi Lutfi Shabanin, i njohur si Ben Çami, duke e cilësuar si një nga pronarët e drogës së sekuestruar.
ABC News ka mësuar se pas arrestimit, 38 vjeçari Zahiri ka treguar emrat e personave që e kishin kontraktuar, si shofer për të bërë rrugën nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas për të përfunduar në Turqi.
Ai i ka thënë hetuesve, shkurtimet e emrave të personave të tjerë të përshirë në këtë rrjet, për të cilët mësohet se po punohet për t’i identifikuar nga ana e policisë.
Ndërkohë, identifikimin e Ben Çamit, mësohet se e ka bërë nëpërmjet fotografisë që ndodhej e skeduar në kartelat e policisë së shtetit.
Burimet thonë se shoferi Zahiri ka pretenduar se kamionin e ka marr në Durrës dhe nuk e dinte që në dyshemen e rimorkios ishin fshehur në 474 qese, të mbushura me hashah. Ai ka pretednuar se gjatë gjithë rrugës nga Durrësi deri në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, kamioni është vëzhguar në distancë nga dy persona ende të paidentifikuar nga policia me një makinë të llojit “Audi”.
Burimet thonë se në momentin që i është kërkuar shoferit Zahiri të kaloi kamionin në skaner, makina e llojit “Audi” është larguar.
Sipas akuzës, pavarësisht pretendimeve të shoferit Zahiri, i dyshuari Ben Çami nuk ka pranuar akuzën, duke mohuar përfshirjen e tij në rrjetin e trafikut të drogës.
Në sallën e gjyqit, ai ka kërkuar lirimin nga burgu, duke mohuar njohjen me shoferin e kamionit dhe ish-pronarin e mjetit, të arrestuarin Janaq Kaceli.
Edhe ky i fundit gjatë marrjes në pyetje ka mohuar përfshirjen në trafikun e drogës, duke pretenduar se kamionin e kishte shitur disa muaj para bllokimit në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës me 574 kg hashash të fshehur në dyshemen e rimorkios.
Burimet i thanë ABC News se është kërkuar nga kompanit telefonike, të zbardhin të gjitha tabulatet dhe mesazhet telefonike të të dyshuarve të arrestuar dhe personave me të cilët ata kanë komunikuar gjatë 72 orëve të fundit. Zbardhja e komunikimeve telefonike, për hetuesit do të provoj përfshirjen në trafikun e drogës dhe njohjen mes tyre.