Vetëm 11 ditë pasi u votua nga parlamenti, ministri i Brendshëm Taulant Balla do të takohet sot me homologun kosovar Xhelal Sveçla.
Ndonëse mes dy kryeministrave ka pasur një “ngrirje” komunikimesh, me sa duket takimi mes Ballës dhe Sveçlës do të sjellë dhe shkrirjen e tyre.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, takimi do të zhvillohet në orën 13:00 në Pikën Kufitare të Morinës dhe më pas një komunikim me mediat.
“Sot në orën 13:00 Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla dhe Ministri i Brendshëm i Kosoves, Xhelal Sveçla do të zhvillojnë një takim në Pikën Kufitare në Morinë. Pas takimit Balla dhe homologu Svelça do të kenë edhe një komunikim me mediat”, njofton Ministria e Brendshme.
Takimi i dy ministrave të Brendshëm vjen në kulmin e sezonit turistik ku mijëra shqiptarë të Kosovës udhetojne drejt Shqipërisë për të kaluar pushimet në vijën bregdetare.
Në pikën e kalimit kufitar në Morinë gjatë ditëve të fundit në drejtimin Shqipëri-Kosovë, ka patur radhë të gjata të emigrantëve që kthehen me pushime sepse makinat me targa të huaja me përjashtim të atyre me targa të Shqipërisë duhet të paguajnë siguracion për t’u fut në RKS.
Ky vendim ka krijuar radhë në kufi, prandaj Ministri i Brendshëm Taulant Balla i ka kërkuar prej javës se kaluar homologut Xhelal Sveçla që të lehtësohet kthimi i emigrantëve kosovarë me makinat e tyre në këtë sezon pushimesh në atdhe.
/f.stafa