Ministria e Energjisë dhe Industrisë bashkë me ambasadën e Zvicrës në Tiranës njoftuan sot fillimin e projektit për ndërtim kapacitetesh në sektorin e gazit në Shqipëri. Projekti për ndërtim kapacitetesh, financuar nga qeveria zvicerane i është besuar Roland Berger, një konsulencë lider e specializuar në menaxhimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës. Produkti i parë i projektit është krahasimi i marrëveshjeve shtetërore të Greqisë dhe Shqipërisë me konsorciumin TAP me synim maksimalizimin e përfitimeve të vendit tonë.
“Është një proces i parashikuar mirë, do të thotë që vendet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe ky ka qenë koncepti. Kështu janë edhe sinjalet nga bashkëbisedimi me kompaninë Trans Adriatic Pipeline dhe në bazë të këtij krahasimi të marrëveshjeve që do të bëhet nga kompania Roland Berger, do të merren edhe përftimet shtesë që ka Shqipëria. Disa angazhime janë marrë tashmë nga TAP-i. Disa përfitime shtesë të tjera financiare do të realizohen menjëherë pasi të mbyllet ky material. Unë parashikoj që të mbyllet brenda 2 maksimumi 3 muajsh siç kemi rënë dakord me konsulentin”, u shpreh ministri Gjiknuri. Ai lajmëroi ngritjen e Institutit të Naftës dhe Gazit, një institucion i nevojshëm për Shqipërinë.