Galatasaray është pezulluar nga garat evropiane për dy vjet, për shkak të shkeljes së rregullave financiare për lojë të ndershme, ka konfirmuar UEFA. Federata Evropiane e Futbollit ka thënë qysh në janar se ekipi turk ka shkelur rregullat dhe ndalesa ka hyrë në fuqi prej sot. Ekipi nga Stambolli aktualisht është në vendin e pestë në Super-Ligën e Turqisë. Edhe ashtu, të qenët në këtë pozitë e ka lënë Galatasarayn jashtë kualifikimeve për sezonet e ardhshme të Ligës së Kampionëve dhe Ligës Evropiane. Zyrtari i Galatasaray-t, Iskender Baydar, ka thënë se klubi do ta “shqyrtojë tekstin e vendimit” dhe do të lëshojë një deklaratë më vonë.