I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Gabriel Escobar zbuloi para fjalës së tij në Kongresin Amerikan se Shqipëria u ofrua të ndihmojë në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Lajmi u bë i ditur gjatë deklaratës së tij përballë Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Washington.
“Ne kishim ofruar, në fakt Shqipëria është ofruar të ndihmojë në hartimin e atij statuti dhe shpresojmë që Kosova ta kuptojë se e ka një obligim dhe përderisa ta përmbushë atë obligim duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane”, theksoi përfaqësuesi amerikan.
Më herët, Escobar e konsideroi draftin e propozuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë si “tepër konstruktiv”.
“Ishte një draft shumë konstruktiv. Iu bëj thirrje njerëzve që ta lexojnë”, shprehej zyrtari amerikan.
Brukseli zyrtar e konsideroi gjithashtu draftin e propozuar për Asociacionin si “një kontribut” duke shtuar se është “shkruar me shumë seriozitet”.
Burimet i kanë thënë “Radios Evropa e Lirë” se, “teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë”.
Sipas tyre, “testi po analizohet me kujdes” dhe ndër të tjera “shihet si një kontribut në këtë drejtim, sikurse edhe drafte tjera që janë punuar deri me tash nga organizatat e ndryshme joqeveritare”.
“Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi“, ka thënë një diplomat i BE-së.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi Rama gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, bëhej fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.
“Për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, shtoi kreu i Qeverisë.
Për Ramën, “nyja Gordiane e dialogut” do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“E kam ditur me kohë që nyja Gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificash politike apo teknike”, theksoi në vijim kryeministri.
Kryeministri shqiptar vërejti se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë “zgjidhja ideale”.
“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.
Rama deklaroi se uron dhe shpreson që ky material “do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, gjëra që lidhen me përfundimin e suksesshëm të dialogut”.
Kryeministri tregoi gjatë konferencës se drafti nuk ka për t’u bërë ndonjëherë publik.
“Drafti nuk është për t’u bërë publik , drafti është një material në tryezë ku mund të ketë edhe materiale të tjera. Është thjesht një kontribut, por gjëja që di të them unë është, që kush e do zgjidhjen realisht, e ka gati, ta marrë e ta aplikojë. Këtë e them me garanci 100%. Ta marrë, ta aplikojë”, ravijëzoi ai në përmbyllje.
Kujtojmë që autoriteteve kosovare po i kërkohet që të fillojnë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë.
Kjo, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.
Nga kryeministri Kurti po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.
Ndërkaq, autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që sot paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë krijimin e një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.
/a.r