Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, lidhur me rastin e njohur si “Gylenistët”.
Ai u shpall fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Gjykata dha dënimin plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike në kohëzgjatje prej 4 vitesh, pas përfundimit të dënimit me burg. Nga akuza janë liruar dy zyrtarët e tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Aktakuza kundër të treve u ngrit nga Prokuroria pasi më 29 mars të vitit 2018, përmes një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, u arrestuan gjashtë shtetas turq. Të gjithë shërbenin si mësues në shkollat e fondacionit gylen. Dëbimi i tyre është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.
/a.r