I gjithë territori i vendit edhe gjatë këtyre 24 orëve të fundit vijon të jetë i mbërthyer nga vala e të nxehtit me temperatura që në zona të caktuara kanë arritur mbi 40 gradë.
Qytetet që po përballen me temperaturat më të larta mbeten Berati dhe Elbasani, ku termometri edhe këtë të hënë kapi vlerat e 41 gradëve.
Por më e keqja nuk ka ardhur ende, pasi sinoptikanët parashikojnë gjatë kësaj jave 5 ditë shumë të nxehta.
Hakil Osmani: Vala e të nxehtit që ka përfshirë territorin shqiptar, do të sjellë gjatë kësaj jave 5 ditë shumë të nxehta ku parashikohet që deri ditën e mërkurë, temperaturat e ajrit të luhaten maksimumet në 40 apo 41 gradë Celsisus, ndërsa dita e enjte apo dita e premte do të sjellin temperatura 42 gradë Celsisus. Lehtësisht në zona të izoluara do të tejkalohet kjo temperaturë.
Por cilat do të jenë zonat që do të përjetojnë temperaturat më të larta?
Hakil Osmani: Maksimumet do të shënohen në qytete si Berati, Elbasani, Gjirokastra, Tirana, Shkodra, Fieri.
Sipas sinoptikanëve kjo do të jetë një javë që do të sjellë temperatura deri në 10 gradë më të larta se sa temperaturat normale të Korrikut.
Gjithsesi, fundjava pritet të sjellë një tërheqje të valës së të nxehtit, çka do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave të ajrit.
/a.r