Nga Roland Qafoku
Ishte rastësi, apo e qëllimtë këtë nuk e dimë. Mesazhi i zbardhur dhe i botuar në faqen e kryeministrisë nga Edi Rama pas vendimit të kuvendit që dha lejen për arrestimin e Arben Ahmetajt, është në numër të barabartë rreshtash me letrën publike të ish-zëvendëskryeministrit në të njëjtën ditë, 135 të tillë. I barabartë është edhe numri faqeve kompjuterike të këtij reagimi, 6 të tilla. Ndryshimi është shumë i vogël në numrin e fjalëve të përdorur nga Rama, 2154 kundrejt 1980 fjalëve të Ahmetajt. Duket se Rama është kujdesur të jepte një kundërpërgjigje të barabartë në masë, por shumë të goditur në stil. Një kujdesje për të dhënë jo vetëm mesazhe majë për majë ndaj ish-vartësit të tij, por për të qenë ndikues në opinionin publik për vetë situatën e rëndë që po kalon ai vetë dhe kjo mazhorancë. Dhe e gjithë kjo përballje mesazhesh e njëshit me dyshin e dikurshëm të qeverisë ka një kuptim gjeneral gjithsesi. Nëse i analizon duke “i përplasur” të dy letrat tregon se mazhoranca po kalon situatën e saj më të rëndë që nga ardhja në pushtet. Me fjalë të tjera, kjo është vera më e nxehtë e Partisë Socialiste që nga e njëjta stinë e vitit 2013 kur më 23 qershor me aleancën e krijuar fitoi 57.6 për qind të votave. Por çfarë tregojnë dy letrat e njëshit dhe të dyshit të qeverisjes së PS? Ajo që bie në sy është se letrat nxjerin në pah jo vetëm detaje të imtësishme nga skandali i inceneratorëve, por tregon në të njëjtjën kohë shumë të panjohura për mënyrën e qeverisjes socialistëve në këto 10 vjet. Ai ironizon mënyrën se si PS po vepron me të dhe lëshon një sarkazëm të fortë kryeministri Rama duke e perifrazuar atë “mbreti”. Shkroi Arben Ahmetaj në letrën e vet:
“Falenderoj dhe kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojnë statistika. Siç tha dhe avokati im “Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik”. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.
Kundërpërgjigja e Edi Ramës e djeg shumë qeverisjen e PS teksa nënkupton se e kishte menduar se arrestimi i Ahmetajt do kishte një kosto. Shkroi dhe tha Edi Rama:
“As nuk jam mjaftuar me fjalët e mëdha për nevojën e Reformës në Drejtësi pa vepruar, por jam përpjekur papushim, për ta miratuar atë edhe me koston e prishjes së qeverisë së koalicionit aso kohe, e pse jo edhe të humbjes së pushtetit, po të ishte nevoja dhe për ta mbështetur atë pa asnjë bishtnim karshi qëllimit të saj të madh, edhe kur ndodh që ajo të veprojë në mënyrë jo fort bindëse në ndonjë rast të caktuar”.
Se si Arben Ahmetaj e ka pritur lejen e kuvendit për arrestimin e tij e regon ky pasazh i mëposhtëm në të cilin ai e quan më shumë një vendim politik të kryeministrit dhe herë tregon “shokët” që ia kënë kurdisur këtë histori me ndonjë frazë nga “letërsia angleze” si “black falling star” (ylli i zi në rënie) dhe herë kërcënon butë me ndonjë frazë tjetër. Shkroi Arben Ahmetaj:
“E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” (së bashku me ata që më duan të vdekur, sic tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjeteueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosovë dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shumë vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojnë mesazhin…kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128”.
Por kryeministri Rama në letrën e tij e jep më direkte përgjigjen ndaj Ahmetajt në pasazhin e radhës. Nuk u përmend emrin, por fjala “xhepi” do të thotë që sipas Ramës ish-vartësi I tij më i rëndësishëm ka abuzuar me financat. Shkroi dhe tha Edi Rama:
“..se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne, po duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, apo qoftë kur i bie të gjendet para derës së drejtësisë”.
Ahmetaj tregon jo pak konfuzitet në letrën e tij. Ia nis duke iu drejtuar atyre që e zgjodhën dhe votuan e megjithatë ato që shkruan janë plot me kode qe vetëm ai i kupton. Mjafton të perfifrazojmë këtë paragraf për të kuptuar shumë. Shkroi Arben Ahmetaj:
“Shpresoj e lutem ta kem justifikuar besimin tuaj. Në mendje ju kisha pikrisht juve, që kur ideova e hartuam taksën progresive që i dha të drejtë të gjithë atyre që paguheshin më pak e paguanin më shumë. Shpresoj të kam bërë më të mirën time kur mora përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe marrëdhëniet me sipërmarrjen, e më vonë edhe turizmin. Frytet t’i gëzojë vendi, sipërmarrja e qytetarët e zakonshëm”.
Në mesazhin e tij duhet thënë se kryeminstri Rama ka të drjetë kur e quan vendimin për lejen e arrestimit ndaj Ahmetajt si një arritje e madhe e një forcë politike në Shqipëri. Dhe Rama dhe PS duhet përshëndetur për këtë vendim politik. Por, ama Rama nuk e sqaron opinionin publik nëse Ahmetaj mund të bënte ndonjë veprim pa miratimin e kryeministrit. Kjo duket hapuir në këtë pasazh. Shkroi dhe tha Edi Rama:
“Ua kam thënë shumë troç dhe po e rithem këtu publikisht para të gjithëve, unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët, po çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne për t’i udhëhequr në këtë rrugë”.
Arben Ahmetaj bën një krahasim me Fatos Nanon që rezulton zyrtari më i lartë i arrestuar dhe dënuar në Shqipëri për korrupsion në këto 33 vjet. Dhe përsëri me ironi ai “sqaron” se nuk ka menduar të bëhet kryeministër që për këdo që e lexon duket si një kod mes tij dhe Ramës. Shkroi Arben Ahmetaj:
“Dikush nga gazetarët tha që jam në 30 vite zyrtari më i lartë që kanë qejf të më shohin në burg. Eee, Fatos Nano që unë e dua shumë dhe e respektoj pa fund, dhe unë, të bëhemi kujtesa se ç’mund të bëjë padrejtësia, politika dhe deformimi i drejtësisë. Mos më keqkuptoni, s’kam pasur kurrë ambicie të bëhem kryeministër, as në ëndrrat e mia më të thella të subkoshiencës. Thjesht e përdora si statistikë, referencë dhe të vërtetë të hidhur”.
Përgjigja e Edi Ramës është debat i hapur sepse e quan burgosje politike dhe nuk bën asnjë analogji me rastin e Arben Ahmetajt. Shkroi dhe tha Edi Rama:
“Rasti i vetëm në memorien historike të 33 vjetëve nga rënia e sistemit të drejtësisë proletare, kur një njeri me pushtet është dënuar nga gjykatat e këtij vendi, ai i ish-kryeministrit Fatos Nano ishte në fakt, rasti i fundit i traditës shtetërore shqiptare, të persekutimit dhe burgosjes politike të një kundërshtari të pushtetit arbitrar të radhës, që nga koha e përpara mbretërisë e deri shumë vonë”.
Arben Ahmetaj sulmon hapur reformën në drejtësi me historinë e vetë. Shkroi Arben Ahmetaj:
“Për ju që i lexoni si kurreshtarë (nëse i lexoni), hetimi im ska pasur fare të bëj me inceneratorët, se unë për shkak të pozicioneve s’kam pasur tagër të përfshihem në procedurat e tenderimit. Eshtë hetuar Arbeni, jeta e tij për 25 vite dhe jo procedura. Të thahet liqeni, mbase ngelet peshk në taban. Standart që s’duhet t’i përkasë drejtësisë së re”.
Përgjigjja e Ramës është flakë për flakë ndaj vetë Ahmetaj por edhe ndaj të gjithë atyre që e sulojnë reformën në drejtësi. Duket si një kujdesje që ish-vartësin e tij më të rëndësishëm ta fusë në të njëjtin grupim me Sali Berishën dhe Ilir Metën, kundërshtarët e tij por edhe të reformës në drejtësi. Tha dhe shkroi Edin Rama:
“Ndërsa të tjerëve, atyre që njihen botërisht si armiq të Reformës në Drejtësi apo si matrapazë publikë të luftës për drejtësi, të cilët janë në një garë të ethshme mesveti për gjak, për baltosjen tonë nga të katër anët apo për vetëngushëllim, teksa era e nënvedit po i mbyt nga frika e drejtësisë, u them se i mëshiroj për ultësinë e qenies së tyre dhe i mirëpres me durimin më të madh gjylet e baltës së tyre. Fatkeqësisht ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi, janë turpi dhe mallkimi i vjetër më shumë se njëshekullor i Shqipërisë, po fatmirësisht nuk habisin po as nuk bindin më askënd, mëkatarë të mëdhenj dhe shpirtra të ndrydhur, me të cilët merret populli shqiptar si askush tjetër nuk merret dot, sa herë që kanë kurajo e dalin të kërkojnë vota prej tij, gjithnjë e më të kërrusur, gjithnjë e më të vrerosur, gjithnjë e më të humbur, nën peshën e boshllëkut të tyre.
Ahmetaj bën një kërcëim të vockël me fjalë të koduara që shumë pak e kuptojnë. Më saktë e kuptojnë ata që kanë bashkpunuar me të dhe janë në nivele të larta. Kur përmend Luigjin e 16-të ka një nënkuptim se e ka fjalën për shefin e tij, Edi Ramën. Apo kur përdor frazën se “përgjegjësia është personale” një frazë po e Edi Ramës. Por pasazhi është i shkruar në mënyrë të tillë që njëkohësisht po aq lehtë mund të thotë “Jo. Nuk e kisha për ty”. Shkroi Arben Ahmetaj:
“Dhe Luigjit te 16 ju dha katër ditë kohë përpara se ti pritej koka, ndërsa mua e avokatëve të mi, as 24 orë (17 orë gjithsej) për një dosje 230 faqe e mbushur me supozime e ndoshta ‘palë të treta’ e një material 60 GB. Së fundmi i falënderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojne sot dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo personale është kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot në apozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte”.
Por reagimi i Ramës është i prerë dhe duket hapur që Arben Ahmetaj është i lëshuar nga ai vetë dhe mazhoranca po ashtu. Tha dhe shkroi Rama:
“Të qartë se o i hyjmë ne, o kurrë nuk bëhet. Të bindur se vetëm ne mund t’i hyjmë dhe ta bëjmë. Të vetëdijshëm se ky det nuk kalohet pa u lagur vetë dhe madje pa rrezikuar edhe mbytjen nga dallgët e larta, nga lodhja, nga humbja e durimit apo nga të papriturat e rrugës. Të ndërgjegjshëm për gjatësinë e stërmundimshme të kësaj rruge, për telashet e pashmangshme me karakteret e dobëta dhe për kohën që fluturon pa mjaftuar kurrë teksa bregu nga ana tjetër është ende larg”.
Gjithsesi, e gjithë kjo luftë mesazhesh dhe letrash ka një favor për Edi Ramën. Ai tashmë mezi pret që goditjet e SPAK të vijojnë nga opozita. Perceptimi dhe informacionet janë se goditjet do jenë të afërta edhe në PD. Është ngritur aq shumë steka me Arben Ahmetajn sa duket se rruga për goditjet në radhët e disa personazheve të opozitës që dikur kanë qenë në qeveri është e hapur. Të dyja letrat tregojnë po aq hapur për këtë.