Nga Alba Malltezi
Duke lavdëruar magjinë e natyrës shqiptare, përpjekjet mbinjerëzore të privatëve për të bërë më të mirën e më të bukurën në ofertën për pushuesit që sa vijnë e shtohen, qytetet që janë zbukuruar nën një punë të mirë promovimi, përkushtimi për përmirësim, ka një realitet, të cilin duhet ta pranojmë e ta gjykojmë me ndershmëri: Ka tepër rreziqe kudo lëvizet nga jugu në veri.
Në disa ditë të kaluara në Jug, në qytetin e bukur të Sarandës, mjafton të përshkosh me këmbë distanca të shkurtra nga “Santa Quaranta” drejt shëtitores për të kuptuar se çdo hap është një rrezik për këmbësorët. Vizat e bardha për të kaluar nga një anë në tjetrën të rrugës, aty ku trotuarët janë holluar fare të rrëmbyer nga ndërtimet, mungojnë, ose ato që ekzistojnë janë të fshira. Rruga e ngushtë në vijën e parë të detit është një alarm i përhershëm, një luftë mbijetese mes këmbësorëve, makinave, shkarkimeve të autobusëve me pushues te hotelet, shkarkimet e mallrave te dyqanet. Fati dhe kujdesi shpëton shumë të tjerë, por rrezikoi një vogëlush 4 vjeçar i ardhur nga Gjermania, që u godit nga një makinë. Urojmë të kalojë sa më shpejt tronditjen, pasi, përsëri falë Fatit, deklarohet së është jashtë rrezikut për jetën.
Kullat e vrojtimit nëpër plazhe, janë një tjetër “gallatë” alla shqiptare. Diku janë fare formale, diku “roja e plazhit”, nuk do të ishte në gjendje fizike të shpëtonte as veten; diku, kullave nuk iu kanë vendosur as shkallë për të vrojtuar.
Për varkat në lumin Shalë apo në Koman, kujtohen vetëm tani të bëjnë kontrollet e gjendjes teknike dhe sigurisht, t’i bllokojnë me bujë, me teatralitet greko-bizantin. Sikur nuk mjaftoi një dimër i tërë për ministrinë e turizmit që ka tre muaj të përballojë fluksin që vjen falë reputacionit të rritur të Shqipërisë, të bëjë paralajmërimet e duhura, koordinimet e duhura, të japë licensat e duhura që si turizmi, por edhe mjetet ndihmëse të tij, të jenë në formën e pretenduar nga ligji dhe siguria në shërbim të të huajve dhe të shoqërisë.
Si të jemi “shtet i pulcinelave” vazhdojmë të lemë gërmadhat e shkatërruara të viteve më parë në Ksamil. Me betonin dhe hekurat e dala të ndryshkura me arsye rreziku dhe infeksioni për ata që i qëndrojnë përbri.
Për ata që nuk duan apo nuk e kanë mundësinë të shkojnë nëpër struktura luksi, apartamentet për pushime janë një alternativë e pëlqyeshme. Privatët i kanë rinovuar, i mbajnë pastër dhe bukur, por gjëndja e administrimit të pallateve, (që zgjedhin qindra turistë) e sidomos siguria e mirëmbajtja e ashensorëve është një tjetër rrezik. Shpesh janë jofunksionalë dhe kur funksionojnë dridhen dhe janë aq të vjetër e të shkatërruar saqë bllokohen përditë. Kontrollet dhe mbikqyrja e rreptë e bashkive në këtë pikë, është inekzistente. Urojmë të mos kemi lajme të këqija dhe nga ky drejtim.
Rrjetat e °merimangave° të fijeve të korrentit, apo të internetit, vazhdojnë të lidhin pallatet e ndërtesat me njëra-tjetrën pa mëshirë. Tela të zhveshur apo të paizoluar mirë has në çdo cep dhe mosprekja e tyre nga fëmijë, është gjithashtu një mrekulli që ndodh në vendin tim.
Rritja e fluksit të turistëve është një bekim, por në të njëjtën kohë pretendon seriozitet maksimal nga të gjitha strukturat, sidomos nga ato që kanë të bëjnë me kontrollin e sigurisë.
Thoshte një “roje plazhi” diku nga ish hekurudha në Durres, që deri në një metër e gjysëm thellë, unë të shpëtoj nga mbytja, për më tutje, nuk e garantoj, mbasi unë nuk dij not për vehte….
A doni më mo ?
Bukur dhe sakte!