Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk do ta vizitojë Republikën e Maqedonisë, si pjesë e agjendës së tij për gjetje të mënyrës për menaxhim dhe zgjidhje të krizës së refugjatëve.
Tusk, siç paralajmëroi kabineti i tij, në Shkup do të takohet me presidentin e Maqedonisë Giorge Ivanov. Në fokusin e bisedimeve të presidentit Ivanov dhe kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, do të jenë përpjekjet për arritjen e zgjidhjes së përbashkët evropiane për krizën e refugjatëve, si dhe procesin e eurointegrimeve të Republikës së Maqedonisë”, njoftojnë nga kabineti i Ivanovit dhe citohen nga Express.
Parashikohet fillimisht të mbahet takim tet-a-tet mes Ivanovit dhe Tuskut, ndësa më pas planifikohet takim plenar i dy delegacioneve.
Njeriu i parë i Këshillit të Evropës prej të mërkurës e deri më 3 mars, përveç Shkupit, do t’i vizitojë edhe Vjenën, Lubjanën, Zagrebin dhe Athinën. Qëllimi i këtij mini turneu të tij, sipas kumtesës së Këshillit të BE-së, është “ndërtimi i konsenzusit evropian për ballafaqim me krizën e migrantëve dhe përgatitje të Samitit me Turqinë të caktuar për më 7 mars në Bruksel dhe Samitit të Këshillit të Evropës më 17-18 mars”.