Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan njoftoi se ka arritur dakordësinë me Presidentin rus Vladimir Putin, për zgjatjen e marrëveshjes për drithërat e cila skadon më 17 Korrik.
Ajo mundëson eksportin e drithërave nga portet e Ukrainës në Detin e Zi. Erdogan tha se ka shpresë që marrëveshja do të zgjatet. Marrëveshja u ndërmjetësua vitin e kaluar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Por ditët e fundit shqetësimi për një tjetër çrregullim të çmimeve të ushqimeve u rrit pasi Vladimir Putin tha se kërkesat e Rusisë në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Stamboll, nuk ishin përmbushur dhe se Moska sipas tij u ka qëndruar me përpikmëri kushteve të kësaj marrëveshjeje.
Një prej kërkesave të Moskës është lehtësimi i aksesit në sistemin bankar ndërkombëtar, i bllokuar nga sanksionet ndëshkuese pas nisjes së sulmit në Ukrainë.
Putin tha më herët se ende nuk ka marrë një vendim dhe se është i hapur për gjetjen e një zgjidhjeje.
Kombet e Bashkuara kanë ofruar të lejojnë Bankën Bujqësore Ruse të përfshihet në sistemin Suift, por shefi i Kremlinit tha se akoma nuk ka marrë një ofertë zyrtare.
Analistët thonë se ftohja e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Moskës, pas lirimit nga Turqia të 5 komandantëve ukrainas të njësisë Azov, ka bërë që Putin të luajë kartën e presioneve, por që edhe në rast të mosrinovimit së një marrëveshjeje, nuk mund të pengojë anijet turke të eksportojnë grurin ukrainas.