Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka nisur të ankohet sa i takon pozitave të serbëve në Ballkan. Mediat malazeze kanë raportuar gjatë ditës së djeshme se është krijuar shumica parlamentare për krijimin e Qeverisë së Malit të Zi. Duket se përbërja e përfolur në media nuk i ka pëlqyer presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili u ankua se pse nuk do të ketë asnjë serb në qeverinë e re malazeze, raporton rtcg.
“Të shikojmë të gjithë rajonin. Sot ka përfunduar formimi i Qeverisë së Malit të Zi. Më vjen mirë që boshnjakët kanë gjashtë ministri. Serbët asgjë edhe pse janë 30 për qind në Mal të Zi. Edhe kroatët me 0.9 për qind të popullsisë do të kenë ministër dhe jam i lumtur për këtë. Do ta kenë edhe shqiptarët, vetëm serbët nuk do ta kenë sepse do të jenë gjithmonë një ‘faktor shqetësues’”, tha Vuçiç.
Ndonëse rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare malazeze mund të priten vetëm në mesin e javës së ardhshme, disa media në atë vend kanë raportuar se pushteti i ri ekzekutiv tashmë është formuar me “Evropa Tani”, demokratët dhe përfaqësuesit e pakicave, të cilat do të përbëjnë shumicën parlamentare prej 41 deputetëve.
Kryeministër pritet të jetë Milojko Spajiç ndërsa zëvendëskryeministër do të jenë Branko Krvavac, Momo Koprivica, Ervin Ibrahimoviç dhe Nik Gjeloshaj. Aleanca Shqiptare pritet të merr Ministrinë e Integrimeve Evropiane me kusht që Genc Nimanbegu të bëhet ministër, në të kundërtën, ai departament do t’i përkasë një tjetër liste shqiptare – Forumit Shqiptar, e cila do të mbulojë edhe Ministrinë e Administratës Publike, ku do të qëndrojë Marash Dukaj.
/f.stafa