Policia e Durrësit ka mundur të arrestojë njërin pre autorëve te dyshuar për vrasjen e shtetasit Asllan Kërtusha, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit.
Blutë e qytetit bregdetar prangosën shtetasin Bledar Kajno, 39-vjeç ndërsa vijojnë kërkimet për ndalimin e shtetasit tjetër të përfshirë në ngjarje, 31-vjeçarit Gëzim Kajno.
Këta dy persona janë kushërinj midis tyre.
Dinamika e ngarjes sipas policisë:
Policia e Durrësit zbardh dhe dokumenton ngjarjen e datës 01.03.2016, ku mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagos një tjetër.
Arrestohet njëri nga autorët dhe shpallet në kërkim autori i dytë. Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një pune intensive dhe në kohë rekord kanë bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 01.03.2016, ku pas një konflikti në ambientet e një lokali mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagos një tjetër.
Si rezultat i punës së bërë u arrestua njëri prej autorëve, konkretisht shtetasi: Bledar Kajno, 39 vjeç, banues në Xhafzotaj.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e autorit tjetër, shtetasit: Gëzim Kajno, 31 vjeç, banues në Durrës, pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Mekanizmi i ngjarjes
Më datë 01.03.2016, rreth orës 19:00, në lagjen Nr.17, pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno nën efektin e alkoolit dhe për motive të dobëta janë konfliktuar me shtetasin Asllan Kërtusha në ambientet e brendshme të lokalit.
Më pas, në konflikt e sipër, kanë dalë jashtë lokalit ku shtetasi Gëzim Kajno e ka goditur më qytën e pistoletës në kokë shtetasin Asllan Kërtusha dhe si pasojë e një shkrepje të armës së zjarrit është plagosur në krah shtetasi Bledar Kajno.
Po me të njëjtën pistoletë, shtetasi Gëzim Kajno ka qëlluar Këtushën, i cili nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës.
Në vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan: dy gëzhoja model 54 kalibri 7.62 m/m dhe 3 copë fishekë kalibri 7.62 m/m.
Asllan Kërtusha, 30 vjeç, banues në Durrës, është person më precedentë penalë të mëparshëm duke konsumuar disa vepra penale si: vjedhje, në fushën e lëndëve narkotike, kundërshtim i Punonjësit të Policisë, konflikte në lokalet e natës si edhe ka pasur lidhje shoqërore me persona me precedentë penalë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale ”Vrasja me dashje në bashkëpunim” dhe” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar në nenet 76, 25 dhe 278/4 të Kodit Penal.