Zhvillohet operacioni policor ndërkombëtar i koduar “RUGANTINO” në vazhdën e operacioneve të përbashkëta të zhvilluara me Policinë italiane, arrestohen dy persona në Lezhë për trafik kokaine.
Operacioni “RUGANTINO”, ende në vijim në shtetin italian, goditi një tjetër organizatë kriminale për trafikimin ndërkombëtar të kokainës, organizatë kriminale me veprimtari në Itali.
Operacioni në vendin tonë është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH dhe nga Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe me Interpol Romën.
Të akuzuar nga Gjykata e Brescia-s, si pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, kapen në Lezhë dhe arrestohen me qëllim ekstradimin drejt Italisë, 2 shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjithashtu, shoqërohet në Polici, një i afërm i njërit prej shtetasve të ndaluar, pasi me vetëdije, lejoi kushëririn e tij, t’i përdorë identitetin, me qëllim shmangien e autoriteteve të policisë së Italisë.
Strukturat qendrore të Policisë së Shtetit, ato të Policisë së Lezhës dhe Interpol Tirana kanë zhvilluar në vendin tonë, operacionin ndërkombëtar antidrogë të koduar “RUGANTINO”, si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me autoritetet e Policisë së Italisë dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me Interpol Romën, me qëllim kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Në kuadër të këtij operacioni, i cili është ende në vijim në Itali, u kapën në Lezhë dhe u arrestuan me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar Tonin Kameri alias Aleks Ionescu, 44 vjeç dhe P. B., alias Pavlin Tuku alias Pavlin Bregaj, 32 vjeç, të dy banues në Lezhë.
Ndaj këtyre 2 shtetasve, Gjykata e Brescia-s, Itali, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, Policia e Lezhës ka ndaluar shtetasin Dritan Marku (alias Dritan Kameri), 48 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se me vullnetin e tij të lirë, ka lejuar kushëririn e tij, shtetasin Tonin Kameri alias Aleks Ionescu, që t’i përdorë identitetin për t’iu shmangur Policisë italiane.
Nga veprimet hetimore të kryera në Itali, dyshohet se shtetasit Tonin Kameri alias Aleks Ionescu dhe Pavlin Bregaj, alias Pavlin Tuku, së bashku me 7 shtetas të tjerë të arrestuar tashmë nga policia e Italisë, janë pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin e kokainës, organizatë me veprimtari në Itali. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, Policia e Italisë ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 7 kg lëndë narkotike kokainë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë.
/f.stafa