Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në një postim në rrjetet sociale thotë se gjatë punimeve dy ditore të samitit të NATO-s në Vilnius, Shqipëria rikonfirmoi angazhimin e saj për të rritur më tej mbështetjen për Ukrainën, ndërsa u vendos themelimi i këshillit NATO-Ukrainë.
Po ashtu, ministrat e Jashtëm të Aleancës theksuan rolin vendimtar të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën.
“Në Samitin e NATO-s në Vilnius: Rikonfirmuam angazhimin tonë për të rritur më tej mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon të mbrojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Vendosëm të themelojmë Këshillin NATO-Ukrainë, një organ i ri i përbashkët ku Aleatët dhe Ukraina do të ulen si anëtarë të barabartë për të çuar përpara dialogun politik, angazhimin, bashkëpunimin dhe aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO. Me Ministrat e Jashtëm të NATO-s theksuam rolin vendimtar të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe NATO për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, në veçanti për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën. Gjithashtu theksova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për partnerët tanë si Bosnja Hercegovina, Gjeorgjia dhe Moldavia të prekur nga situata aktuale e sigurisë”, shprehet Xhaçka.
/a.r