“Mospasja e ish-ministrit Arben Ahmetaj sot të arrestuar nuk pengon ecurinë e hetimeve dhe as mbledhjen e provave”. Këtë mendim ndau në studion e Debatit në A2 CNN, ish-drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj. Sipas saj Ahmetaj ka zgjedhur të mbrohet duke u larguar nga vendi në një kohë kur SPAK paraqiti kërkesën për arrestimin e tij, duke ngritur dyshime se ka patur informacion për këtë veprim të prokurorisë.
“Largimi i Ahmetajt korrespondon me kohë kur është paraqitur kërkesa e SPAK na bën ne të ngremë pretendime se ka patur informacion që një veprim i tillë do ndodhte dhe ai ka zgjedhur të bëhet në mungesë. Ahmetaj është një qytetar që ka zgjedhur të realizojë mbrojtjen e vet në mungesë. Nga ana tjetër organi i akuzës që do të jetë koherent në qëndrimin e vet, do paraqesë masën e arrestit me burg. Ishte e pritshme që pozita e opozita do binin dakord për vijimin e veprimeve. Sapo jepet një masë sigurie shpallet në kërkim ndërkombëtar dhe janë organet që diskutojnë. Mospasja e Ahmetajt sot të arrestuar nuk pengon ecurinë e hetimeve dhe as mbledhjen e provave. Ahmetaj ka kryer 3 vepra penale dhe lidhet me veprime individuale të zotit Ahmetaj, prokuroria nuk na ka dhënë një rezyme të qartë a është hetuar afera e inceneratorëve në vetvete”.
Për analistin Lutfi Dervishi, largimi i Ahmetajt rëndon pozitën e tij, ndërsa hetimet e SPAK i krahason me tenderat e qeverisë. Ai thekson se SPAK nuk ka kurajo profesionale për t’i hyrë çështjes në themel.
“Në kushtet e teknologjisë që mund të komunikosh ën hënë është e patolerueshme dhe rëndon pozitën e Ahmetaj. Pse Kuvendi nuk ka zbatuar rregulloren e vet kjo ngre pikëpyetje.
Tjetër rasti i Tahirit ka një qasje tjetër. Ahmetaj është i braktisur politikisht prej kohësh, ndërsa në rastin e Tahirit pati debat në sallë dhe përpjekje mes prokurorëve e deputetëve për të intimiduar prokurorinë. E treta këto hetimet e SPAK i ngjajnë tenderave të qeverisë. Nëse qeveria ndan disa rrugë, hetimi për aferën e inceneratorëve ndahet në disa, është një aferë me shumë aktorë. SPAK-ut nuk i kanë dalë ende thonjtë ka kurajo minimale por jo profesionale për ti hyrë çështjes me themel. Nëse do kishte një institucion me kurajo, por kjo mungon dhe nuk mund ta bëjë një grup prokurorësh”.
Dervishi thekson se kjo është ngjarja më e rëndë politike, por sipas tij pastrimin e politikës duhet ta bëjë votuesi.
“Pastrimin e politikës do të duhet ta bëjë dhe votuesi dhe këtu fillon pastrimi i madh. Media dhe shoqëria nuk mund të mbështesin çështje korruptive. Kjo është ngjarja më e rëndë, nuk e ka bërë vetëm dhe është e qartë që kjo aferë nuk qëndron. Paguajmë njerëz në kërkim dhe inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe kjo është maja e ajsbergut”.