I sapozgjedhuri për president të ardhshëm të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur shqetësimin e tij rreth mundësisë së daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, duke parë që një zhvillim i tillë do të nxiste një “reagim zinxhirë” me pasoja të rrezikshme për Ballkanin.
Në një intervistë për edicionin evropian të portalit “Politico”, të titulluar “Mos e ballkanizoni Evropën”, Thaçi tha se daljen potenciale të Britanisë së Madhe nga BE-ja e sheh si kërcënim për Kosovën, edhe pse Kosova nuk është as në bisedime formale për anëtarësim në BE. Pa një BE që tërheq vendet e Ballkanit, Thaçi tha se rajoni mund t’u kthehet konflikteve të së kaluarës.