Një tjetër person është vënë në pranga nga policia shqiptare në kuadër të një operacioni të nisur në Danimarkë ndaj një grupi kriminal me drejtues shqiptar, i cili trafikonte drogë në disa shtete europiane.
Mësohet se në pranga është vënë shtetasi me iniciale N.N, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”. Ndërkohë, më herët ishin arrestuar edhe shtetasit nën hetim K.D dhe A.M,.
Në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me proçedimin penal Nr.49 datë 27.03.2023, të regjistruar pas një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet e drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, si dhe në zbatim të vendimit nr.76, datë 28.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 11.07.2023 nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit është bërë i mundur ekzekutimi i masës së sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale, për shtetasin nën hetim N.N, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në vijin dhe të njoftimeve të mëparshme, në lidhje me këtë proçedim penal, po në zbatim të vendimit nr.76, datë 28.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 03.07.2023 nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit janë ekzekutuar masat e sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale, për shtetasit nën hetim K.D dhe A.M, gjithashtu të dyshaur për kryerjen veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Personat e arrestuar aktualisht në Shqipëri, në kuadër të proçedimit penal nr.49 të vitit 2023, dyshohen se janë pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, të cilët në kuadër të hetimeve të kryera në Danimarkë në lidhje me “Operacionin Goldfinger” dhe të zhvilluar gjatë viteve 2018-2019, dyshoheshin se kanë trafikuar, ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike kokainë dhe mariuhanë, duke vepruar kryesisht në Danimarkë , Suedi, Norvegji, Belgjikë, Hollandë dhe Gjermani, ku si drejtues i grupit të strukturuar kriminal nga autoritetet daneze të drejtësisë është konsideruar shtetasi Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi).
Në Danimarkë janë arrestuar, dërguar për gjykim dhe dënuar me burgim nga Gjykata e Kopenhagen anëtarët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë në Shqipëri rezulton se nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar janë dënuar me burgim për veprat penale penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, pika 1, gërmat “a”, “b” dhe “d” e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal shtetasit Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniçi), Astrit Beqiri dhe Dhimitër Shkodrani.
Aktualisht hetimet paraprake në lidhje me proçedimin penal nr.49 të vitit 2023 po kryhen nga Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me Oficerë të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm.
SPAK