Ballkani e nisi me një fitore të madhe rrugëtimin e këtij sezoni në Champions League. Për llogari të raundit të parë, Kampionët e Kosovës mposhtën në stadiumin Fadil Vokrri me shifrat 2-0, Ludogorets. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja mori një fitore të merituar teksa e dominoi të gjithë ndeshjen duke limituar jashtë mase kualitetet e bullgarëve ndërsa tashmë janë me një këmbë në raundin e dytë.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, pjesa e parë foli e gjitha për Ballkanin me vendasit që sinjalin e parë e dhanë me Nazmi Gripshin në minutën e 12-të. sulmuesi anësor mori një top të gjatë nga prapavija, por nuk mundi ta stoponte në mënyrën e duhur dhe aty portieri kundërshtar përfitoi për të zotëruar sferën. Gjithsesi, në vijim lojtarët e Ballkanit u shfaqën të papërmbajtshëm dhe pesë minuta më vonë Kuc provoi nga distanca, por pa gjetur kuadratin.
Miqtë ishin të shtangur dhe Despodov për pak sa nuk shkaktoi një penallti në minutën e 21-të me portierin Padt që priti topin mbi vijën fatale. Në minutën e 35-të, Ballkani kompleton një aksion model të nisur nga portieri Koliçi dhe të përfunduar nga Gripshi, goditja e të cilit përfundoi jashtë për pak centimetra.
Goli ishte në ajër në stadiumin Fadil Vokrri dhe në fakt festa nuk mungoi teksa në të 46-tën, Meriton Korenica shënoi nga një pozicion i prirët brenda zonës kundërshtare. Diagonalja e sulmuesit nuk mundi të ndalej nga portieri Padt dhe festa ishte legjitime për “Xhebrailat” e pranishëm në shkallët e Fadil Vokrrit.
Fraksioni i dyti nisi ashtu siç u mbyll i pari, me Ballkanin në sulm. I pari që rrezikoi ishte Gripshi në minutën e 47-të teksa goditja e sulmuesit u prit në dy kohë nga portieri Padt. Por, ky i fundit nuk mund të bënte asgjë tetë minuta më pas kur Lorenc Trashi harkoi në zonë dhe Qëndrim Zyba shënoi me kokë. 2-0 për Ballkanin dhe festa edhe njëherë tjetër i takoi tifozëve nga Suhareka.
Në të 67-tën, miqtë u dukën për herë të parë në portën e mbrojtur nga Koliçi teksa Naressi goditi me kokë, por gardiani i Ballkanit u shfaq i gatshëm dhe priti topin mbi vijën fatale duke shmangur një gol të sigurt. Në të 84-tën, Ludogorets iu afrua golit me Yankov, por për fat të mirë topi u ndal në shtyllë edhe pas një devijimi të lehtë nga portieri Koliçi.
Kështu, deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Ballkani hedh një hap të sigurt drejt raundit të dytë aty ku do ta priste fituesja e çiftit Olimpija Ljubjanë-Valmiera. Gjithsesi, klubi nga Suhareka ka edhe një tjetër sforco në Bullgari ndaj Ludogorets para se të mendojë për ndeshjet e raundit të dytë.
/f.stafa