Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu do të sjellë për publikun e Tiranës koncertin e tij “Il mio Canto”, më 5 mars në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti i tenorit Saimir Pirgu është pjesë e turit botëror të artistit në qytetet më të mëdha të botës: Tokio, Firence, Moskë, Vienë, Berlin, Paris dhe New York.
Koncerti i tij në Tokio u mirëprit nga artdashësit japonezë, të cilët pas koncertit prisnin në radhë për të marrë autografe nga tenori i famshëm shqiptar. Saimir Pirgu, sipas raportimit të ATSh-së, do të prezantojë albumin e tij të ri “Il mio Canto”, ku përfshihen ariet më të bukura, ndërsa dirigjent i orkestrës do të jetë Maurizio Barbacani.
Në shtator të vitit 2013 Saimir Pirgut iu dha çmimi prestigjioz “Pavaroti D’Oro” (Pavaroti i Artë). Në vitin 2009 ai u përzgjodh për t’u nderuar me Çmimin “Franco Corelli” nga “Teatro delle Muse” i Ankones për interpretimin e rolit të Alfredos në “La Traviata” të Verdit.
Në vitin 2008, i zgjedhur nga vetë Woody Allen për operën e parë të vënë në skenë prej tij, ai do të interpretonte rolin e Rinuccio-s te “Gianni Schicchi” i Puccinit, në Los Angeles Opera. Në vitin 2002 Saimir Pirgu nderohet me Çmimet e Para në dy nga konkurset më prestigjiozë ndërkombëtarë të lirikës: “Caruso” dhe “Tito Schipa”, të cilët i përcaktuan menjëherë tenorit të ri fillimin e një karriere gjithnjë e në rritje në mbarë botën.
Pas shumë koncerteve humanitare që në hapat e parë të karrierës së tij, prej vitit 2013, Saimir Pirgu është ambasadori i “Down Syndrome” në Shqipëri.