Kryeministri Edi Rama bëri me dije përmes një postimi në rrjetet sociale, se Shqipëria do të rrisë brenda viti 2024 shpenzimet e saj në fushën e mbrojtjes, një kërkesë kjo prej vitesh e NATO për shumë vende të Aleancës.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të dërguar më shumë trupa në kuadër të misioneve të NATO.
Deklarata e kreut të qeverisë vjen përpara samitit të Vilniusit, “ku Shqipëria”, tha Rama, “do të rikonfirmojë përkushtimin ndaj aleatëve, sigurisë së tyre, mbështetjen për luftën e drejtë të Ukrainës dhe nevojën për stabilitet në Ballkan.
“Gati për samitin vendimtar të NATO-s në Vilnius. Në Vilnius, ne do të rikonfirmojmë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve tanë në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor.
Në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së sonë. Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024.
Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë. Në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë në NATO.
Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, shkruhet në njoftimin e Ramës.
/a.r