Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler është shprehur e zhgënjyer nga mosarritja e progresit në vend, edhe përkundër investimit të madh që ka bërë SHBA.
Në një intervistë për gazetën “Kapital”, Ambasadorja Aggeler ka thënë se përkundër përkushtimit dhe ndihmës së madhe financiare të qeverisë amerikane në dekadat e fundit për ngritjen e një sistemi funksional dhe të pavarur gjyqësor, rezultatet mungojnë.
“Kur bëhet fjalë për progresin në gjyqësor jemi të zhgënjyer. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ne kemi investuar gjysmë miliardë dollarë në programet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, por nuk po shohim përmirësimet dhe reformat që mund të presim me një investim kaq të madh. Megjithatë, në fund të fundit, korrupsioni sistematik në të gjithë vendin në të gjithë sektorët i dëmton njerëzit e Maqedonisë së Veriut më drejtpërdrejt se ne. Ju të gjithë meritoni një shoqëri, një gjyqësor, një qeveri, veprimet e së cilës janë transparente dhe ju shërbejnë juve – qytetarëve”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 20 Qershor e kanë vendosur kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merkon, në listën e personave që u ndalohet hyrja në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion dhe implikim në gjyqësor.
Kritika ndaj pushtetit gjyqësor dhe partive politike për ndërhyrjen në punën e gjyqësorit ka drejtuar edhe Bashkimi Evropian.