Lulzim Basha dhe Gjergji Hani, dy rivalët për kreun e Partisë Demokratike zhvilluan debatin e parë mes tyre përpara demokratëve të vulës. Zgjodhën Elbasanin, në një takim që nuk u bë publik për mediat. Ish kryedemokrati ndau fotografi nga takimi, por komentin për rivalin e shmangu.
‘Partia Demokratike do t’u ofrojë shqiptarëve një model që mishëron kulturën e re politike të ndërtuar mbi aktet dhe veprat e qendrestarëve, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që mbrojtën me vendosmëri vlerat dhe parimet që janë në themel të forcës sonë politike: Aleancë e qartë me partnerët strategjikë; Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit; Për pastrimin e politikës, duke u dhënë fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësues me integritet.’- tha Lulzim Basha, kandidat për kryetar i PD-së.
Nga ballafaqimi i parë mes tyre, i vetmi që zbuloi detaje ishte Gjergji Hani, i cili përballjen e quajti përpjekje për teatër dhe jo debat real.
“U kërkoj organizatorëve dhe i bëj thirrje kandidatit rival të ecim në ballfaqimet e tjera me formatin klasik. Minutazh për prezantimin. Moderator i paanshëm, kohë e caktuar për pyetje nga salla dhe për pyetje ndaj njëri tjetrit. Çdo shpikje që e pengon ballafaqimin pengon garën. Dje në Elbasan u përdor një format që e kthen ballafaqimin në shfaqe. Ne kemi nevojë për ballafaqim, jo për shfaqe teatri.”- u shpreh Gjergj Hani, kandidat për kryetar të PD.
Sipas vendimit të kryesisë së PD, dy kandidatët do të zhvillojnë të paktën 6 debate mes tyre, ndërsa zgjedhjet që do të mbahen më 29 korrik po shoqërohen me kritika se fituesi është paracaktuar dhe se Lulzim Basha po rikthehet përmes një procesi që nuk njihet as nga drejtuesit e lartë të PD zyrtare.
/f.stafa