Kreu i PD-së Lulzim Basha përmes një postimi në rrjetin social shkuan se trashëgimia e Tiranës së betonizuar është një “dhuratë” e ish kreut të Bashkisë Edi Rama, i cili sipas tij krijoi 200 mln euro pasuri vetëm nga lejet e ndërtimit që dha gjatë 11 viteve të tij si kryebashkiak.
Lideri opozitës thotë se edhe sot, si Kryeministër, Edi Rama po bën të njëjtën gjë, po bëhet gati të betonizojë Parkun e Liqenit. E vetmja gjë që ka mbetur Rama pa bërë, shkruan Basha, është ngritja e një piramide në emër të tij.
“11 vjet kryetar bashkie e la Tiranën pa plan urbanistik, krijoi geto të përjetshme betoni për të ndjekur ambicien e tij të çmendur, krijoi 200 milionë euro pasuri me lejet e ndërtimit. Si te Komuna e Parisit, me qindra pallate ngjitur me njëri-tjetrin, pa marrë parasysh kush do jetojë, çfarë ka nevojë qytetari, por thjesht duke planifikuar metrat e hyrjet për t’i bërë llogari bankare në vende “Off- shore”.
Sa për të tjerat: gropën e Hajdin Sejdisë e la të qelbet 11 vjet, 11 metra nga zyra e tij, Zogun e Zi deshi ta betonizonte, sheshin “Skënderbej” e ktheu në gërmadhë për 2 vite e gjysëm.
Sot si kryeministër, vazhdon njësoj. Po bëhet gati ta mbushë Parkun e Liqenit me beton, aty ku asnjë mendje nuk ka shkuar deri më sot. Kjo është e vërteta e një kryeministri që rras në burg hallexhiun që rregullon çatinë e avllinë, por vetë nuk pyet as për ligj, as për rregulla.
Ka mbetur të ngrejë dhe piramidën e tij, po këto plane do t’i bëhen hi shumë shpejt. Ka ikur koha e faraonit është dita e qytetarëve.
Sa për të tjerat fotot flasin vetë!”- shkruan Basha.