Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hodhi në opinion publik një ide për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, e cila, sipas tij, do të duhej të synonte shtensionimin e situatës mes palëve. Në lidhje me këtë temë, është deklaruar edhe Bashkimi Evropian.
Sipas BE-së, çdo iniciativë e tillë duhet të koordinohet me ndërmjetësit në dialog dhe palët.
“Ne mirëpresim çdo mbështetje të nivelit të lartë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në këtë moment sfidues. Megjithatë, çdo iniciativë e tillë duhet të koordinohet me Lehtësuesin dhe Palët, të cilët janë të përfshirë në dialog, dhe përfundimisht të vendosin për axhendën dhe ritmin e negociatave të tyre.” – theksohet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano për gazetën online Reporteri.net.
Idenë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë e shpalosi më 27 qershor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kreu i qeverisë Edi Rama bisedoi në Bruksel më zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë Michelin. Kreu i qeverisë shqiptarë u shpreh se është koha që të zhvillohet një konferencë e nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetje të BE-së dhe SHBA-së, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.
/a.r