Në datat 12, 13, 15, korrik vjen në Tiranë festivali “Gjon Mili, Jazz&Blues”. Shfaqjet më 12 dhe 13 do të zhvillohen tek Instalacioni Reja në kryeqytet dhe do të jenë të hapura për publikun, ndërsa më 15 korrik në Korçë. “Gjon Mili Jazz & Blues Festival” synon promovimin e figurës së Gjon Milit, si e vetmja urë lidhëse që kombi shqiptar ka me muzikën Jazz në periudhën e saj më të artë, duke e bërë pjesë të Trashëgimisë Kulturore dhe Artistike të Shqipërisë. Zhvillimi i festivalit ka për qëllim të nxisë aktivitetin artistik dhe krijimtarinë në muzikën Jazz dhe Blues, duke motivuar muzikantët e rinj shqiptarë me anë të shkëmbimit artistiko – kulturor me muzikantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë me eksperience.
Artisti shqiptar Gjon Mili, si mjeshtër dhe novator i fotografisë, ka kontribuar në të gjitha fushat sociale dhe kulturore në Shtetet e Bashkuara dhe, si rrjedhojë, në mbarë botën. Si muzikant amator (luante oboen), ai pati një lidhje të veçantë me muzikën Jazz dhe arriti të dokumentojë tranzicionin midis dy periudhave më të rëndësishme të saj, Sëing Era dhe Modern Jazz.
Gjithçka filloi në vitin 1943, kur Gjon Mili realizoi për revistën Life, dy nga setet e tij fotografikë më të famshëm “The Lindi Hop” dhe “Jam Session”. Falë këtyre artikujve Gjon Mili u lidh gradualishit me kulturën jazz dhe me promovimin e mëtejshëm të saj. Këtë e ka dëshmuar me filmat artistikë të realizuara në vitet ’40 – ’60 si: “Jammin the blues”, “Stompin for Mili” dhe “Improvisation”, filma të njohur të kinematografisë botërore me qëllim promovimin e muzikës jazz.
/a.r