Zv. Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, e ftuar në rubrikën “Opinion” në NeWs24, foli për protestat e studentëve të mjekësisë, pas vendimit të marrë nga qeveria.
Rakacolli bëri me dije se nëse një student i mjekësisë, nuk punësohet për 1-2 vite pas përfundimit të studimeve, është i lirë nga detyrimi, i cili është 5 mijë euro. Sakaq u kundërpërgjigj pretendimeve të studentëve për mos konsultim, duke thënë se janë zhvilluar takime nga ministret e Arsimit dhe Shëndetësisë.
“Në lidhje me pretendimet e studentëve se nuk ka pasur konsultime, kjo nuk është e vërtetë, pasi janë zhvilluar takime me dy ministret. Edhe shtypi e ka transmetuar takimin me studentët dhe nuk më duket sikur është e pa konsultuar. Janë bërë takimet dhe pamjet janë transmetuar. Kush nuk pranon marrëveshjen të paguajë 5 mijë euro.
Nëse studentët nuk punësohen për 1 vit ose 2 vite, janë të lirë nga detyrimi. Punësimi mund të jetë në institucion shtetëror ose privat. Mjekësia nuk është vetëm një profesion, por edhe mision.
Në lidhje me vendimin nuk do të ketë një tërheqje nga ana jonë. Duke njohur studentët nuk besoj se mund të ndodhë një bojkot nga ata. Vendimin e kanë parë jo nga këndvështrimi i duhur. Nuk besoj se do shkohet në bojkot. Nuk shohim vetëm studentë por edhe qytetarë të përgjegjshëm”, u shpreh ajo./m.j