Pamjet e të vetmes kamere sigurie në vendin e krimit, armët dhe makina e lënë pas nga autorët janë të vetmet prova që policia ka për vrasjen në Larushkë orët e para të së martës
Makina dhe armët janë çuar në laborator për ekzaminim, ndërsa policia dhe prokuroria e kryeqytetit po ngrenë disa pista hetimore për zbardhjen e ngjarjes. 29 vjeçari, i cili mbeti viktimë në ngjarje Rammazan Sino përjashtohet të ishte shënjestër e sulmit. Babai i një fëmije disa muajsh kishte mbi 10 vite i punësuar si shofer në prokurori dhe shumë rralle shkonte në shtëpinë e motrës në Larushkë. Motivi i vizitës ditën e ngjarjes ishte kthimi në shtëpi të 2 nipërve të cilët mbetën të plagosur në këtë ngjarje.
Çelësi që mund të zbulojë atentatin në Larushkë dhe mund të japë të dhëna që mund të çojnë deri në identifikimin e autorëve është shënjestra e atentatit Gentjan Bejtja, i cili vetëm pak kohë më parë është kthyer nga jashtë vendit por ai nuk ka dhënë ende një dëshmi për autoritetet.
Po verifikohet dhe aktiviteti i Gentjan Bejtes jashtë vendit, por më shpresëdhënëse është një piste e tretë që hedh dyshimet mbi vet objektivin. Policia dhe prokuroria dyshojnë se ngjarja është hakmarrje për një krim të ndodhur rreth një vit më parë në zonën e Fushë Krujës që është ende pa autor, por që ka dyshime se bejtja ka qenë i implikuar./m.j