Fjalën në eventin e prezantimit të shërbimeve satelitore, kryeministri Edi Rama e ka shfrytëzuar për të përçuar disa mesazhe në lidhje me procesin e transferimit online të shërbimeve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Rama nënvizoi se prej 48 orësh Kadastra ka hyrë në një fazë të re dhe shumë të avancuar të revolucionit digjital, proces nga i cili kryeministri pret lehtësim për qytetarët, por edhe lirim të vendeve të punës të fituara pa meritë.
“Agjencia shtetërore e Kadastrës ka kaluar në sistem të dixhitalizuar gjë që mesa kuptoj ka krijuar konfuzion të madh brenda përbrenda sistemit të shërbimit, te individët që janë mësuar t’i trajtojnë kërkesat e qytetarëve si mundësi për të ushtruar pushtetin e tyre të vogël që kthehet në pushtet absolut mbi problematikën e qytetarit.
Jam i bindur se ky transformim do të sjellë një lehtësim të jashtëzakonshëm për qytetarët, por edhe një mundësi për të gjithë të rinjtë të shkolluar që duan të shërbejnë për shtetin me paga tërësisht konkurruese me tregun siç do të jenë së shpejti pagat e Kadastrës.
Më në fund, vendet e punës do të jenë të arsyetuara me kontributin që njerëzit japin për punën. E kam shumë të qartë që në Kadastër do të na lirohen shumë vende të zëna padrejtësisht.”
Për të treguar se dixhitalizimi i sistemit dhe rregulli që përcakton se punonjësit e një qarku nuk do të trajtojnë dosje të bashkive prej nga vijnë, ka sjellë largimet e të parëve që kanë ushtruar korrupsionin brenda Kadastrës, Rama tregoi episodin me një prej drejtorëve të kësaj agjencie.
“Dje më çonte dikush një screenshoot të një shkëmbimi mesazhesh me një drejtor të Kadastrës së një qarku që i kërkonte ndihmë për një dosje. Dhe i thoshte drejtori: “Si të ndihmoj unë mo vlla këtu s’më del asnjë gjë nga pronat e qarkut tonë, se këtu më del Bulqiza Gramshi dhe po më ikin punonjësit”. Arsyeja përse punonjësit ikin kur iu del Bulqiza Gramshi, në vend të ndonjë cope të majme të këtij territori është shumë e qartë”, tha Rama.
/a.r