Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar kreut të qeverisë Edi Rama që me rastin e vizitës së tij në Prishtinë të mbahet mbledhja e shtyrë mes dy qeverive.
Lajmin, Kurti e bëri të ditur në një konferencë për mediat pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.
Kryeministri Rama do të jetë në Prishtinë në kuadër të Turit Ballkanik, i cili ka të bëjnë me përgatitjet për mbajtjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit.
Por, ky samit do të mbahet në tetor, dhe për Kurtin, më emergjente është mbledhja e shtyrë mes dy qeverive.
“Unë miqësisht i kam kërkuar që meqë do vijë në Prishtinë, ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive që u anuluan paarsyeshëm. Të gjitha përgatitjet i kishim bërë, marrëveshjet kanë mbetur në sirtar. Nga to përfitojnë qytetarët, çdo ditë e humbur është dëm për ta. I kam propozuar që ta mbajmë një mbledhje të përbashkët të dy qeverive tona. T’i nënshkruajmë ato marrëveshje.”
Teksa theksoi se ai është një nga mbështetësit më të zjarrtë të Procesit të Berlinit, kreu i ekzekutivit në Kosovë, kujtoi se tetori është ende larg ndërsa marrëveshjet e lëna pezull mes dy qeverive duhet të firmosen sa më shpejt.
Nëse Rama e refuzon këtë kërkesë të Kurtit, atëherë ai theksoi se takim bilateral mes dy liderëve nuk do të ketë, pasi siç deklaroi, me homologun e tij nga Shqipëri është në kontakt të vazhdueshëm.
/a.r