Shqipëria renditet ndër 20 vendet e para që mban një numër të lartë aplikimesh për Lotarinë Amerikane.
Sipas të dhënave të marra nga Departamenti Amerikan i Shtetit të përpunuara nga Scan Intel, numri i shqiptarëve që aplikojnë për Lotarinë Amerikane, ka qenë në rritje ndër vite, me përjashtim të vitit 2021, vit që përkon me kufizimet e pandemisë Covid-19.
Shifrat tregojnë se në vitin 2021 numërohen 240.886 aplikime, për vitin 2020 janë 345.000 aplikime dhe në vitin 2019 janë regjistruar 331.000 aplikime, të cilat përfshijnë jo vetëm ato individuale, por edhe familjarët e aplikantëve.
Numri i shqiptarëve që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane ka pësuar një tkurrje në vitin 2021, me 30.2%, por ky ishte viti kur Covid-19 paralizoi udhëtimet në të gjithë botën, për shkak të infektimeve.
Në Evropë, Shqipëria renditet e treta pas Ukrainës dhe Rusisë, dy shtete që mbajnë numër rekord për aplikimet për Lotarinë Amerikane.
/a.r