Nga Bajram Peçi
Duhet të jesh i sëmurë nga shpirti, ndonëse nga përvoja dihet që kujtesa te individi rrjedh nga trupi i sëmurë, kur sheh e prekesh nga mosmirënjohja. E ndesha këtë te një status në fb, ku një individ përgojon ligësisht ish presidentin Bill Clinton, por meqë statusi i atij individi në opinionin e gjerë gëzon famën e një personi me shëndet mendor të dëmtuar, nuk ja vura veshin. S’vonoi, kur rishtas pashë të rrjedhin nga “foltorja” të tjera insinuata me njeriun që i dha lirinë Kosovës, duke e lidhur me skandalin seksual të Bashkisë Kukësit.
Çfarë keqardhje ndjen! Të gjithë e dimë se ishte Bill Clintoni ai që së bashku me Toni Bler bindën aleatët dhe institucionet ndërkombëtare se duhej ndalur me forcë masakra e genocidi serb kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Kjo kujtesë e zbehur, kjo mosmirënjohje, që shfaqet për bamirësin e madh, është shumë fyese për të gjithë ata që ndjehen shqiptarë!
Ne paskemi qenë vërtet me kujtesë fëminore, kur është fjala për të nderuar e respektuar ata të huaj që i kanë dhënë Shqipërisë ato që s’kanë qenë të zotë t’i bëjnë, t’i marrin vetë ose t’i mbrojnë!
Kthej kokën pas dhe shoh, siç rëndom ndodh me krerë të shtetit tonë, harrimin që ju bë përkujtimit të një ngjarjeje madhore nga përmasat: 100 vjetori i pranimit në Lidhjen e Kombeve. Ngase kujtesa jonë e shkurtër nuk na lejon të shohim tej zhvillimeve korente e ngjarjeve të afërta pranë tyre, me gjasa ndodh që “Ata” as të mos kenë njohuri se kjo datë egziston!?
Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e plotë e Lidhjes së Kombeve. Historianët tanë, me të drejtë e rendisin atë si një ngjarje kulmore në qendrueshmërinë e brishtë të shtetit të rilindur nga Kongresi i Lushnjës. Ishte një mik i Shqipërisë, senatori francez D’Estournelles de Constant, ai që i këshilloi përfaqësuesit e qeverisë së Tiranës në Paris, zotrinjtë Pandeli Evangjeli, Mithat Frashëri dhe Mehmet Konicën, që t’i drejtoheshin Lidhjes së Kombeve për njohjen e Pavarësisë shqiptare.
Në këto momente historike spikat deputeti britanik, Aubrey Herbert dhe dy juristë të mëdhenj të botës së juriprudencës: Lordi Robert Cecil, përfaqësues i qeverisë së Afrikës së Jugut dhe Newton Rowell, përfaqësues i qeverisë së Kanadasë. Ata, me argumentet e sjella dhe profesionalizmin e lartë, i diktuan Lidhjes së Kombeve orientimin pro Shqipërisë.
Një tjetër personalitet i madh, një bamirës i dhënë tërësisht pas Shqipërisë, Justin Godart, luajti një rol të jashtëzakonshëm në ndryshimin e qendrimit të Francës, e cila paradoksalisht ende mbahej fort në pikat e Traktatit të Fshehtë të Londrës.
Kërkoni në hapësirat shqiptare ose lundroni në google se mos gjeni ndonjë shtatore, ose emrin e ndonjë shkolle apo ndonjë rruge me këta miq të mëdhenj të Shqipërisë. Asnjë prej tyre nuk ndeshet gjëkundi, përpos Justin Godart, për të cilin ndesha në Tiranë një rrugicë qorre 50 metra të gjatë (pas ambsadave). “… ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve”-shkruan Fan Noli për Godart.
Vjen më tej shembulli kuptimplot i gjeneralii Italian, Tellini, që u vra nga armiqtë e Shqipërisë, nga qeveria greke dhe andartët e saj. Ai ra hero për të mbrojtur caktimin e kufijve të shtetit tonë në Shqipërinë e Jugut. I ishte ngritur dikur një përmendore bronxi e denjë, e vendosur atje ku ndodhet sot rruga që të çon te parlamenti. U hoq përmendorje (besoj fill pas Luftës së Dytë Botërore) ndërsa bazorelievi nuk ju prish, por u përdor për të vendosur mbi të një bust të Qemal Stafës, i cili pati më pas të njëjtin fat si përmendorja e Tellinit. Shqipëria e ka harruar veprën e tij, por nuk ka harruar të vendosë para Parlamentit dhe Akademisë ndonja një duzinë buste politikanësh shqiptarë.
Mosmirënjohja nuk ka brirë kur shfaqet edhe në rastin e Anna Lind, e cila ka qenë ish Ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë. Humbi jetën tragjikisht 20 vite më parë, në shtator të vitit 2003. U vra, duke u goditur me thikë në gjoks. Ishte një serb ai që ia mori jetën në mënyrë më makabre sepse Anna Lind në Bruksel, nga pozicioni i saj personal dhe qëndrimit të Suedisë, kishte mbrojtur Kosovën dhe Shqiptarët. Këtë heroinë, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, askush nuk e njeh, askush nuk e përmend, ska shtatore as bust, shqiptarët e mjerë as e kanë idenë kush është e pse duhet nderuar? Kjo memorie fëmijësh se ka penguar bashkinë t’i ngrejë përmendore një tjetër zonje, mbretëreshës Gerlandinë!
Koha kalon, ajo ska brigje, ajo rrjedh dhe ne kalojmë, ndërkohë që në rrudhat e memories tonë gri njohim e dimë të flasim veç për të përditshmen. Kujtesa edhe humbet me kalimin e kohës, por humbja më e turpshme është ajo që vjen nga pakujdesia jonë.
Jeni i mirëseardhur në Tiranë Bill Clinton! Populli ynë kurrë nuk ka për t’jua harruar! Ju ndryshuat gjithçka për ne shqiptarët, madje edhe për derrat, që si çdo pyll, i kanë dhe pyjet tona!