Qyteti i gurtë i Gjirokstarës është kthyer këto ditë në kryefjalën e turizmit. Festivali Folklorik Kombëtar “tronditi” kalldrëmet e gurta të qytetit nga turistë të shumtë vendas dhe të huaj.
Për 8 ditë me radhë në pazarin karakteristik të qytetit u dëgjua kënga dhe vallja tradicionale e ndërthurur me atë moderne e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit.
Rrugicat e kalldrëmta ishin kthyer në vendin e preferuar të turistëve të cilët duket se e shijojnë mbrëmjen nën tingujt e muzikës.
Këndet e artizanatit, iso polifonisë, kulinarisë dhe ekspozitat e shumta sollën për turistët një Gjirokastër që nuk “fle”, por jeta e natës në pazarin e qytetit tregon për një sezon të mbarë turistik
Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.