Mbi 100 mijë fara, fidanë dhe bimë narkotike janë sekuestruar dhe asgjësuar nga policia e shtetit në 6 muaj. Narkotikët u evidentuan në disa zona të vendit, të cilat po tentohej të kultivoheshin apo ishin kultivuar. Krahas bimëve, policia ka bërë të mundur edhe sekuestrimin e 280 kg kanabis sativa, që ishte gati për shitje.
Sasia më e madhe e bimëve narkotike u zbulua në muajin maj dhe qershor, periudhë që përkon edhe me sezonin e mbjelljes. Në Maj policia asgjësoi nëpërmjet djegies 39,613 fidanë dhe bimë narkotike, ndërsa gjatë qershorit 44,620. Këto të fundit u evidentuan në 116 operacione policore.
Veprimtaria u zbulua nëpërmjet kontrolleve me dron, patrullimeve, në zona malore, sera, dhe ambiente pa pronarë. Kultivimi i bimëve narkotike u konstatua në operacionet e zhvilluara kryesisht në Shkodër, Lezhë dhe Krujë, por edhe qytete të tjera.
Jo vetëm bimët narkotike, por blutë bëjnë me dije se kanë sekuestruar 4.5 kg kokainë, 23.5 kg kanabis sativa, 1.4 kg heroinë dhe dhjetëra doza të drogave sintetike. Për këto të fundit u arrestuan 9 shtetas të huaj që kishin ardhur si turistë në Shqipëri, dhe i shpërndanin gjatë sezonit turistik.
Krahas tyre, policia gjatë 6 muajve ka zhvilluar në bashkëpunim me prokurorinë dy operacione të mëdha, ku në total u arrestuan 66 persona. 45 prej tyre u ndaluan në Elbasan ndërsa 21 në Tiranë. grupet kriminale, shpërndanin kokainë, heroinë dhe kanabis në lokale, në afërsi të shkollave, apo dhe zonë të tjera.