Kleves Bitro, ish-shefi i kabinetit në Ministrinë e Punës që drejtohej nga ish-ministri Spiro Ksera, shpresonte të lirohej nga burgu falë Amnistisë, por dëshira e tij nuk u realizua. Në një intervistë me Gazetën Shqiptare, 39-vjeçari thotë se ishte ndërhyrja e Prokurorisë që bëri që ai të mos përfitonte.
“Kam 7 muaj në burg dhe prisja amnisti me ligjin e fundit, por ndërhyrja e prokurorisë ka bërë që të mos përfitoja. Kam paditur prokurorinë dhe shumë shpejt kam seancën e radhës për njohjen e amnistisë. Unë do të dal së shpejti nga burgu”, thotë Bitro, i cili ka këmbëngulur edhe njëherë se është i pafajshëm.
Ai akuzohej për shkelje të pabarazisë në tendera.
“Unë nuk e kam pranuar dhe nuk pranoj fajin për veprën për të cilën akuzohem. Nuk ka pse të çuditemi për arsyet e padrejtësive, nëse marrim parasysh gjithë pakënaqësinë e madhe publike e shoqërore që ka ndaj sistemit të drejtësisë. Këtu janë edhe institucionet e tjera, siç është organi i akuzës, që nuk e lehtësojnë punën e drejtësisë, por e rëndojnë punën në drejtësi. Janë një masë e madhe njerëzish që ndodhen sot padrejtësisht në burgje. Sigurisht që jam padrejtësisht në burg, akuzohem për një vepër që nuk e kam kryer unë”, deklaron Bitro.
BW