Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për Euronews Albania se çfarë thotë Albin Kurti është legjitime, por nuk ka kuptim të vazhdojë kur në tryezë është plani franko-gjerman.
Sipas tij ky plan mund të fitohet me diplomaci e aleatë, por jo duke mbajtur në komunat e Serbisë, kryetarët e izoluar. Më i interesuar për planin franko-gjerman, siç sqaroi kryeministri është populli që përbën kombin shqiptar, ndërsa theksoi se në momentin që në veri të Kosovës do krijohet një Donbas nga këto qëndrime, NATO nuk do e ketë mendjen për t’u marrë me kryetarët e ngujuar si Oso Kuka, kur aktualisht po zhvillohet një luftë në Ukrainë.
“Shqipëria është e gatshme që të jetë krah për krah Kosovës për ta shtyrë atë proces, por ajo bëhet në tryezë. Këtë kërkojnë miqtë tanë. Si more u bëmë pa pritur e pa kujtuar naivë, si u bëmë njerëz negativ ndaj Kosovës, si u bëmë njerëz që nuk po e kuptonkan Kosovën të gjithë ata që për Kosovën kanë vënë në tel emrin e tyre, kredibilitetin e tyre, kanë vënë në tel gjithë reputacionin e tyre? Si more qenka kjo punë që në Bruksel e në Uashington na dolën njerëzit që po luftonkan Kosovën e po luftonkan Albinin për llogari të Serbisë se nuk po kuptonkan Serbinë e nuk qenkan të balancuar? Çfarë janë këto mo? Kjo është të futesh në një vorbull dhe të mbytesh me një lugë ujë, është e pamundur të shihet kështu kjo situatë. Si more qenkan amerikanët dhe europianët ata që s’po kuptonkan Kosovën e po i jepkan një dorë Serbisë?” – u shpreh Rama.
/a.r