Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për Euronews Albania se nuk arrin ta mirëkuptojë Albin Kurtin në situatën e krijuar me Kosovën në raport me ndërkombëtarët. Ai tha se plani franko-gjerman s’mund të qëndrojë aty për gjithë jetën dhe kryeministri i Kosovës nuk mund ta fitojë këtë betejë diplomatike vetëm si Don Kishot.
“Albini është një person të cilin unë e çmoj, një mik që e respektoj, por në këtë rast është kryeministri i Kosovës të cilin unë nuk e mirëkuptoj,” – u shpreh Rama i cili theksoi se bëhet fjalë për interesin e kombit shqiptar dhe qëndrimi i tij është tejet demokratik.
Sipas tij Kurti, qeveria e Kosovës, policia dhe gjithë autoritetet duhet të kapen fort për t’ia dalë që të hedhin hapin e madh të çlirimit përfundimtar nga hija e mosnjohjeve dhe t’ia dalin që mbi të gjitha të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë.
“Pasi ka arritur në këtë pikë, pasi e ka futur Serbinë në një kuadrat të ngushtë, bashkësia euroatlantike nuk arrin dot as ta kuptojë, as ta justifikojë dhe as ta tolerojë sjelljen e autoriteteve të Kosovës dhe qasjen e kryeministrit, Albinit që është një sjellje sikur kjo tjetra të mos ekzistonte, sikur të ishim kushedi sa vite para dhe sikur gjithë ky proces të mos kishte ndodhur. Në ndërkohën kur ne kemi të gjithë bashkësinë euroatlantike të gatshme që ta shtërngojë Serbinë, që të pranojë më në fund, në mos njohjen formale, të pranojë heqjen dorë de facto nga Kosova dhe hapjen e rrugës për njohjen e të gjithë të tjerëve që detyrimisht pastaj do të çojë në njohjen formale të Serbisë, është e pashpjegueshme se çfarë kërkojnë autoritetet e Kosovës që i kundërvihen këtij procesi,” – u shpreh Rama.
Sipas tij, kjo pengesë në rrugën e procesit, në mënyrë të pavetëdijshme po ndihmon lojën e Kremlinit.
Rama deklaroi se shqiptarët janë të parët që duhet t’i japin zë dhe ta çojnë përpara planin franko-gjerman.
Ai shtoi se Kosova ka rastin të shfrytëzojë mundësitë që po i jepen për ta detyruar Serbinë ta pranojë këtë plan dhe t’i hapë vetes dyert drejt njohjes dhe të ardhmes.
“Unë i kam thënë opinionet e mia dhe ajo që shumëkush ndër ata që komentojnë duke iu hakërryer apo duke iu ankuar apo duke iu shprehur ndjenja negative miqve, partnerëve, aleatëve tanë është se ndërkohë që flasim, ndryshe nga të gjitha herët e tjera në të shkuarën, Kosova ka në tryezë ofertën më të mirë të mundshme për të ardhmen e saj. Ka në tryezë planin franko-gjerman, që është Kosova në radhë të parë dhe jemi ne shqiptarët të parët të interesuarit që duhet ta shtyjmë përpara deri në fund duke këmbëngulur për tryezën, duke këmbëngulur për të shfrytëzuar këtë potencial të madh, të aleancës dhe të miqësisë me bashkësinë euroatlantike për ta detyruar Serbinë që ta pranojë planin franko-gjerman, që do të thotë praktikisht hapja përfundimtare e rrugës së të ardhmes për një Kosovë të njohur nga të gjithë dhe të ulur në ulësen e vet në Kombet e Bashkuara. Nëse harrojmë këtë atëherë hyjmë në një pyll pa spat kur i thonë dhe nuk kuptojmë më se për çfarë flasim,” – u shpreh Rama.
/a.r