Vrasja nga një agjent policie i 17-vjeçarit Nahel ka rikthyer trazirat në Francë, e me një shpërthim të paprecedentë dhune gjatë protestave që vijojnë prej tre netësh.
Rebelimi, kryesisht i të rinjve nëpër rrugë, ka ngritur në këmbë pallatin Elysee, me Emmanuel Macron dhe kabinetin e tij që kanë vendosur sot të marrin masa urgjente për t’i bërë ballë valës së dhunës.
Anulimi i disa eventeve madhore, vendosja e mjeteve të blinduara të policisë në disa “hot spote” dhe ndalimi i demonstratave në Marsejë, Bordo, Strasburg dhe qytete të tjera, janë disa prej masave të ndërmarra.
Gjithashtu nuk mungoi një apel nga ana e Presidentit për prindërit, duke i kërkuar që t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi.
“Është evidente se konteksti në të cilin jetojmë, siç e shohim, është rezultat i grupeve ndonjëherë të organizuara, të dhunshme dhe të pajisura, të cilat ne i dënojmë, i arrestojmë dhe që do të dalin para drejtësisë, por edhe i shumë të rinjve“, tha Macron teksa theksoi apelin e tij për prindërit.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti bën thirrje për një “përgjigje gjyqësore” edhe kundër prindërve të të miturve të raportuar për vandalizëm dhe trazira.
Kryeministrja franceze Elisabeth Borne ka njoftuar nga ana e saj se mjetet e blinduara të xhandarmërisë do të vendosen për të parandaluar përhapjen e trazirave në të gjithë vendin. Përveç vendosjes së mjeteve të reja, plani i sigurisë parashikon edhe masa të tjera si pezullimi i shërbimit në metronë e Parisit.
Nesër është planifikuar të mbahet edhe ceremonia mortore për Nahelin. Funerali do të jetë një sfidë më vetë për autoritetet përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik në Nanterre, aty ku dhuna shpërtheu me intensitet më të madh.
* NDALIMI I NGJARJEVE TË MËDHA –
“U mor vendimi për të anuluar ngjarje të ndryshme festive dhe tubime të ndryshme në departamentet më të ndjeshme”, tregoi Macron teksa kthehej urgjentisht në Paris nga samiti i BE-së në Bruksel.
Prefektura e Saint Denis kishte njoftuar tashmë anulimin e një koncerti në Stade de France për të mos ulur numrin e forcave të policisë në rrugë përballë demonstruesve. Ende nuk është specifikuar se cilat “ngjarje të mëdha” do të anulohen. Prefekturat e Marsejës, Lionit dhe Bordosë kanë ndaluar ndërkohë të gjitha demonstratat publike dhe një vendim i ngjashëm është marrë më pas edhe në Grenoble, Strasburg, Toulouse e Montpellier.
Ndërkohë trazirat vazhdojnë në të gjithë vendin. Në Strasburg gjatë pasdites u grabit një dyqan Apple në qendrën historike. Menjëherë pas kësaj, e njëjta bandë sulmoi një supermarket aty pranë, ndërsa policia u detyrua të hidhte gaz lotsjellës. Një tjetër dyqan i madh u sulmua në Val-de-Marne, ndërsa në Seine-Saint Denis ishte radha e një Mc Donald’s.