Gjeneralët më të lartë rusë nuk janë parë në publik, që prej kryengritjes së armatosur që synonte rrëzimin e elitës ushtarake, teksa presidenti Putin po bën përpjekje për të rivendosur autoritetin e tij.
Burime të pakonfirmuara thonë se të paktën një person është arrestuar. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjenerali Valery Gerasimov nuk është shfaqur në publik ose në televizionin shtetëror që prej rebelimit 24 orësh, ditën e shtunë, kur lideri i mercenarëve Yevgeny Prigozhin kërkoi dorëzimin e Gerasimov.
Po ashtu, ai nuk është përmendur në publikimet për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes që prej 9 qershorit. 67-vjeçari është komandant i operacionit special në Ukrainë, dhe mbajtës i tre valixheve bërthamore të Rusisë, sipas disa analistëve perëndimorë.
I zhdukur nga vëmendja publike është edhe Sergei Surovikin, i pagëzuar si “Gjenerali Armagedon” nga shtypi rus, për taktikat agresive në konfliktin sirian. Ai është zv.komandant i forcave ruse në Ukrainë. Sipas New York Times, që citon burime të inteligjencës amerikane, gjenerali kishte qenë në dijeni të kryengritjes dhe autoritet ruse po përpiqen të zbulojnë nëse ishte një bashkëpunëtor i mundshëm.
Dokumente të publikuara nga CNN sugjerojnë se Surovikin, ishte një anëtar vip i grupit të mercenarëve Wagner dhe rrjedhimisht një mbështetës i Prigozhin.
“Moskow Times” dhe një bloger ushtarak folën për arrestimin e gjeneralit, ndërsa disa korrespondentë ushtarakë thonë se ai dhe zyrtarë të tjerë po merren në pyetje nga shërbimet e sigurisë FSB, për të verifikuar besnikërinë e tyre.
Sipas Rybar, një kanal me influencë në Telegram i drejtuar nga një ish-zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes, Moska ka nisur fushatën spastruese.
Ai thotë se autoritetet po përpiqen të çrrënjosin personelin ushtarak që ka treguar mungesë vendosmërie në shtypjen e kryengritjes, mes pretendimeve se një pjesë e forcave të armatosura nuk veproi për të ndalur luftëtarët e Wagnerit në fazën e parë te rebelimit.
“Rebelimi i armatosur”, thotë Rybar, “është bërë pretekst për një spastrim masiv në radhët e forcave të armatosura”.
/a.r