Albi Biçaku është një nga personat e shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Rrjeti”, i cili u finalizua ditën e sotme nga policia e Elbasanit.
Në kuadër të këtij operacioni u lëshuan 52 urdhër-arreste, u ndaluan 45 persona dhe 7 u shpallën në kërkim.
11 prej të dënuarve kanë qenë të dënuar dhe më parë për krime të kryera në fushën e narko-trafiqeve, ndërsa 10 të tjerë kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale.
Albi Biçaku nuk është një emër i panjohur për policinë, më 21 shkurt, 27-vjeçari Biçaku qëlloi me armë zjarri në drejtim të një lokali në Librazhd ku ndodheshin disa të rinj.
Ai plagosi në këmbë 35-vjeçarin Shpëtim Skura, i cili ndodhej rastësisht në tavolinë bashkë me disa miq. Biçaku synonte të qëllonte 37-vjeçarin Rinor Hajdari (nipi i Azem Hajdarit) me të cilin kishte pasur konflikt më herët.
Albi në qytetin e Librazhdit njihet si djali problematik i doktorit, pasi babai i tij është mjek prej kohësh në disa fshatra të Librazhd.
Në zgjedhjet e fundit babai i Albit, u zgjodh këshilltar në Bashkinë e Librazhdit nën siglën e partisë Social Demokrate të Tom Doshit.
Menjëherë pas ngjarjes autori u largua me makinë dhe prej shkurtit rezulton person në kërkim.
Ndërkohë në kuadër të operacionit të sotëm të koduar “Rrjeti”, policia goditi 4 grupe kriminale që ushtronin veprimtaritë kriminale të prodhimit, shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të armëmbajtjes pa leje.
Si ndodhi ngjarja 4 muaj më parë:
Shpëtim Skura u qëllua me plumb nga Albi Biçaku, i njohur si person problematik në qytet, por duket se nuk e ka pasur për qëllim që të lëndonte Skurën.
Biçaku ka pasur një tjetër problem dhe ka sulmuar me armë zjarri biznesin, por pa kontrolluar nëse brenda ka pasur klientë. Një prej tyre ishte Skura, i cili u kap rastësisht nga plumbat.
I plagosuri ka qenë në tavolinë me shokun e tij të punës dhe sapo ishin kthyer nga Durrësi po pinin kafen e mbrëmjes.
Në atë moment ka ardhur autori me një makinë tip “Audi” dhe ka qëlluar një herë me pistoletë, duke plagosur 35-vjeçarin, i cili ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikur për jetën. Ndërkohë që nga Policia e Librazhdit ende vijon puna për kapjen e 27-vjeçarit./m.j