Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duke analizuar qeverisjen 10 vjeçare të Partisë Socialiste tha se nuk mund të pritet perfeksioni, por theksoi se niveli i jetesës në vend është shumë më i mirë se një dekadë më parë.
I ftuar në studion e emisionit “Kontrast” në Report TV, Ndreu tha se është e pamundur që Shqipëria të mos jetë e prekur nga fenomene si korrupsioni apo kriminaliteti që ndodhin në shumë vende të tjera, por sipas tij situata është shumë më e mirë nga çfarë ka qenë 10 vite më parë.
Nuk mund të ketë këtu perfeksion, nuk mund të ruhemi nga fenomene që ndodhin kudo, si korrupsioni kriminaliteti etj. Gjërat maten, a është niveli i jetesës më e mirë. A është siguria më e mirë? Po, por mendoj se mund të jetë edhe më mirë”-tha Ndreu.
Duke folur për këndvështrimin e tij mbi fusha ku mund të ketë përmiësim, ai tha se duhet të punohet më me kujdes me policinë edhe rendin publik. Sipas tij, policia ende nuk ka investimet e duhura në nivelin teknik për të garantuar nivelin maksimal.
Për Ndreun, puna e Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm është e lavdërueshme sa i takon faktit që është i vetmi ndër ministrat që nuk del shpesh në media duke komentuar operacionet e policisë.
/f.stafa