Përdorimi i kokainës është kthyer në një problem në Zvicër dhe për këtë arsye një debat ka nisur rreth kërkesës nga autoritetet e disa qyteteve për “legalizimin” e saj.
Sipas një studimi të kryer së fundmi, Zyrihu, Gjeneva, Bazeli dhe Berna renditen ndër 20 qytetet europiane me më shumë përdorues të pluhurit të bardhë, renditje kjo që kryesohet nga Antverpi në Belgjikë, qyteti port ku vijnë dhe ngarkesat kryesore të kokainës nga Amerika e Jugut.
Për këtë arsye, autoritetet lokale të 4 qyteteve kanë propozuar një plan të ri për të luftuar një fenomen gjithnjë e në rritje.
E përjavshmja “Le Matin Dimanche” raporton se qytetet i kanë dërguar qeverisë një projekt që parashikon shpërndarjen e kontrolluar të pluhurit të bardhë për të varurit nga droga. Një ide që ka përcarë opinionin publik, duke qenë se asgjë e tillë nuk është parë askund tjetër në botë.
Në realitet, tashmë 31 vjet më parë një sistem i ngjashëm u zbatua në parkun “Platzpitz” në Zyrih ku lejohet tregtimi i heroinës. Me atë rast, Konfederata Zvicerane kishte inauguruar një projekt pilot për shpërndarjen e drogës së kontrolluar nga shteti për të varurit nga droga.
/a.r