Të paktën 8 persona humbën jetën, 3 prej të cilëve fëmijë, nga një sulm me raketa i ushtrisë ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Kramatorsk.
Në shënjestër të ushtrisë së Putin këtë herë ishin edhe njëherë zona të parrezikshme dhe që përdoreshin nga civilët, ku përfshihen një restorant dhe zonë tregtare.
Bilanci i viktimave mund të rritet më tej pasi shumë njerëz janë ende nën rrënoja, ndërsa disa të tjerë janë të plagosur rëndë.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth pasdites, kur restoranti frekuentohej nga shumë njerëz, dhe dëshmitarë të këtij sulmi u bënë dhe shumë media të huaja.
Menjëherë, për këtë sulm reagoi dhe presidenti Zelensky i cili u shpreh se Rusia tregoi edhe njëherë se përse nuk duhet ta fitojë këtë luftë.
Kramatorsk ka qenë shpesh herë në qendër të sulmeve me raketa që prej nisjes së ofensivës ruse më shkurt të 2022. Qytetit me 150 mijë banorë është i vendosur 38 km larg frontit të luftimeve në jug dhe ndodhet ende nën kontrollin e trupave ukrainase.
/a.r