Që pas një audio mesazhi të shpërndarë në kanalin e tij në Telegram ku njoftonte të shtunën në mbrëmje arritjen e një marrëveshjeje e cila i dha fund tentativës për grusht shteti ndërsa trupat e tij ishin vetëm 200 metra larg
Moskës, Prigozhin është bërë sot më në fund “i gjallë”.
Ai ka shpërndarë një audio mesazh rreth 11 minuta të gjatë ku ka bërë me dije se pavarësisht ofertës së Kremlinit që të gjithë ata mercenarë që nuk pranuan të marshonin apo u tërhoqën para marrëveshjes, mund të nënshkruanin një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes ruse, asnjë pjesëtar i Wagner nuk e bëri diçka të tillë.
“Më 1 korrik Wagner do ndalonte së ekzistuari”, tha ai.
Ai ka bërë me dije se qëllimi i tij dhe i Wagner nuk ishte përmbysja e qeverisë ruse.
“Ne nuk marshuam për të përmbysur udhëheqjen e Rusisë. Qëllimi i marshimit ishte shmangia e shkatërrimit të Wagner-it dhe kërkimi i llogarisë ndaj zyrtarëve që me veprimet e tyre joprofesionale kanë bërë një numër të madh gabimesh”, tha ai.
Prigozhin vijoi se pjesëtarët e Wagner nuk ndjehen mirë që u detyruan të godisnin aviacionin rus dhe se arsyeja e vërtetë që u kthyen nga marshimi drejt Moskës ishte shmangia e derdhjes së gjakut të ushtarëve rusë.
“Ne ishim në një marshim për të demonstruar protestën tonë, jo për të rrëzuar qeverinë”, pretendon lideri i Wagner./m.j