Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, për të marrë një leje të posaçme, në mënyrë që ai të marrë pjesë nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin e të marrë zyrtarisht detyrën, u rrëzua sot.
Lidhur me këtë refuzim ka reaguar Ministria e Jashtme e Greqisë, e cila përmes një deklarate është shprehur se ky refuzim tregon pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë Belerin, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën sipas tyre, ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e rajonit.
Gjithashtu Ministria e Jashtme e Greqisë thotë se Shqipëria si vend kandidat për anëtarësimin në BE, duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe prezumimin e pafajësisë./m.j