Griseld Hidri sapo ka mbyllur maturën në Shqipëri dhe është gati të hapë një tjetër kapitull studimesh, këtë herë jashtë vendit.
Niveli më i lartë i jetesës edhe mundësitë për praktikë e kanë shtyrë Griseldin të vendosë që shkollën e lartë ta nisë në Francë për Ekonomi.
Griseld Hidri: Ideja për të nisur studimet jashtë vendit nisi që nga vëllia im, i cili ka 6 vite që ka ikur, ka bërë shkollën e lartë në Francë. Që në momentin që nis shkollën e lartë shteti të ndihmon të gjesh një punë që të specializohesh sa më shpejt.
Ai thotë se nuk e mendon rikthimin, madje për pak vite edhe familja e tij mund të shpërngulet ne Francë.
Griseld Hidri: Pak a shumë, i gjithë rrethi im shoqëror do shpërndahen në Amerikë, Gjermani, Francë, Itali.
Edhe këtë vit shkollor sipas të dhënave të siguruara nga tv Klan nga rreth 28 mijë maturantë, mbi 1/3 e tyre kanë pohuar se do të aplikojnë për studime jashtë vendit. Ndërkohë shifrat zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore tregojnë se pothuajse çdo vit rreth 3 mijë nxënës që mbarojnë maturën largohen nga Shqipëria.
MATURANTË TË IKUR ME STUDIME JASHTË SHQIPËRISË:
2018- 2 400
2019- 2 900
2020- 2 800
2021- 2 600
2022- 2 700
Ekspertët thonë se përveç rritjes së pagave, në vend nevojiten politika mbështetëse për të rinjtë që në fazat e studimit.
Irida Sina: Në vendin tonë në universitetet shtetërore vazhdon të jetë e munguar praktika, ndërkohë nëpër botë i japin mundësi studentit të bëjë praktikë gjatë kohës që studion dhe ta ketë më të lehtë më pas përshtatjen me punën.
Vetëm vitin e shkuar, 2 700 maturantë kanë ikur nga Shqipëria.