Netflix po zgjerohet përtej thjesht transmetimit digjital dhe lojërave celulare, në një kategori krejtësisht të re – industrinë e shërbimeve ushqimore. Kompania e njohur njoftoi dje se do të hapë një restorant të quajtur “Netflix Bites”, me chefa-t nga serialet më të famshëm të gatimit në Netflix, si “Chef’s Table,” “Nailed It!” apo “Iron Chef: Quest for an Iron Legend.” Deri më tani gjigandi i transmetimit është përfshirë në ide biznesi bazuar në shfaqjet si: “Stranger Things”, “Squid Game”, “Bridgerton” dhe “Money Heist”, por kjo është hera e parë që Netflix po futet në biznesin e restoranteve.
Klientët e “Netflix Bites” do të jenë në gjendje të shijojnë ushqimin nga chef-at e “Iron Chef: Quest for an Iron Legend” Curtis Stone, Dominique Crenn, Ming Tsai dhe Andrew Zimmern, si dhe Rodney Scott dhe Ann Kim nga “Chef’s Table” dhe pastiçeri, Jacques Torres, gjyqtari kryesor i “Nailed It!” Yjet e tjerë pjesëmarrës përfshijnë Nadiya Hussain nga “Nadiya Bakes” dhe miksologët nga “Drink Masters” të Netflix – Frankie Solarik, Julie Reiner, LP O’Brien dhe Kate Gerwin.
Restoranti pritet të nisë punën zyrtarisht më 30 qershor dhe do të jetë i hapur çdo ditë nga ora 17-22.00, për ju që mendoni ta provoni, në Los Angeles. Do të ketë gjithashtu një menu paradreke në dispozicion gjatë fundjavave nga ora 10:00 deri në orën 14:00. Megjithatë Netflix nuk zbuloi se çfarë saktësisht do të jetë në menu, nuk zbuloi as çmimet.
Për të rezervuar njerëzit thjesht mund të vizitojnë www.netflixbites.com, teksa sipas përshkrimit rezervimet kërkojnë një depozitë të pakthyeshme prej 25 dollarësh për person, e cila do të shkojë drejt faturës përfundimtare.