Nga Andi Malasi
Kur nuk ke punë do mundohesh patjetër t’i hapësh vetes një punë thotë populli. Në rastin e disa “gjithologëve” që kanë marrë flamurin e shoqërisë civile, por që nuk mbrojnë asnjë shtresë, kjo shprehje do të konvertohej në “kur nuk ke kauzë, do mundohesh të gjesh gjithëfarë kauze”. Kohët e fundit e gjithë vëmendja e këtyre të ashtuquajturve përfaqësues të shoqërisë civile është përqendruar në ngritjen e parkut të liqenit dhe rritjen e taksave për biznesin nga ana e Bashkisë Tiranë.
Si një formë për të kundërshtuar prerjen e pemëve, protesta e shoqërisë civile tek liqeni ishte një lajm shumë i mirë për një shoqëri që është mësuar të protestojë vetëm kur i thërret partia. Një grup intelektualësh, pedagogësh dhe të rinjsh kundërshtuan fort projektin, (që ende nuk dihet nëse parashikon prerje pemësh dhe ngritje kafenesh apo jo) në mënyrë qytetare. Kjo protestë qytetare, dhe e drejtë (në parim, pa gjykuar projektin) si një formë reagimi për të mbrojtur gjelbërimin, rriti sensibilizimin.
Si një kauzë tashmë mjaft e ndjeshme, pjesë e protestës u bënë shumë shpejt edhe pjesëtarë të asaj shoqërisë civile tjetër që proteston për gjithçka mjafton “t’i biem këtij apo atij” -thuhet në zhargonin gazetaresk.
Ashtu siç ja do interesi, edhe opozita nuk qëndroi indiferente, por u bë pjesë aktive e asaj proteste, madje duke e kthyer në kauzën e saj të momentit.Pikërisht këtu nis lajmi i keq! Kauza e i’u vodh qytetarëve, dhe matrapazët e politikës dhe të ashtuquajturës “shoqëri civile” por që mbron interesa politike, e kthyen mirëfilli protestë politike .
Jo vetëm protestës qytetare i erdhi fundi, por edhe moralit të saj për sa kohë në krye të saj ishin deputetë, ish-deputetë, biznesmenë, ish-drejtorë të opozitës aktuale e të tjerë zyrtarë të saj. Sepse protesta nuk ishte më qytetare! Në këtë situatë, për protestën që i’u vodh qytetarëve, shumë kush do të kujtonte shprehjen e famshme “fajin e ka saliu”, në rastin konkret opozita.
Pasi u shkulën hunjtë e rrethimit të kantierit te liqeni dhe u dëmtuan disa mjete të kompanisë që kryente punimet, shumë shpejt doli një tjetër “kauzë”. Biznesmenët kundërshtuan rritjen e taksës për zënien e hapësirave publike. Ose më saktë, u rritën taksat për ato biznese që bllokojnë trotuaret me tavolina apo produkte që tregtojnë.
Edhe në këtë rast opozita dhe ata të ashtuquajturit pjesëtarë të shoqërisë civile mbështetën protestën para Bashkisë së Tiranës. Dhe bëjnë shumë mirë që protestojnë sepse ka shumë për të protestuar. Por pyetja që ngrihet është se për çfarë protestojnë?
Pjesë e protestës, sigurisht që u bënë edhe ata “protestues gjithologë” që madje nxituan të fusin hundët edhe te protesta qytetare te liqeni. Janë nga ata që nxitojnë të dalin në krye të çdo proteste, mjafton “t’i biem këtij apo atij” se kështu biem në sy të mirë të krahut nga kemi interesa personale.
Por të dalësh të protestosh për prerjen e pemëve, dhe ditën tjetër të dalësh të protestosh pse rritet taksa për bizneset që uzurpojnë hapësirat publike kjo nuk shkon dhe bie në kontradiktë. Sepse, nuk mund të jesh edhe në anën e atyre që uzurpojnë hapësirat publike, por edhe në anën e atyre që mbrojnë hapësirat publike.
Në rastin konkret rritja e taksës dekurajon uzurpimin e trotuareve nga tavolinat. Madje bashkia mirë do bënte t’i rriste edhe më shumë këto taksa. Në zona të caktuara duhet shkuar edhe më tej, të mos lejohet bllokimi i trotuareve, pasi qytetarëve u duhet të kalojnë në rrugën e automjeteve.
Këta “gjithë-protestues” me flamurin e shoqërisë civile që dikur kanë qenë drejtorë nuk i kemi parë ndonjëherë të protestojnë për uzurpimin e hapësirave publike nga bizneset.
Ndoshta prekin interesa, ndaj nuk dalin! Ndoshta janë edhe vet pronarë lokalesh luksozë, pasi kanë lënë postet e drejtorëve dhe kanë dalë të “mbrojnë interesat qytetare”. Për këta nuk mund të protestojnë, ka “kauza” të tjera që mund të protestojnë.
Dhe patjetër që për t’i mbështetur këto kauza mendojnë edhe mediat. Fjala bie, pas protestës së biznesmenëve para bashkisë, disa media nxituan të krahasonin taksat me Italinë e gjetkë, duke theksuar se në Tiranë janë vendosur më shtrenjtë se në Romë. Ndoshta kjo mund të jetë e vërtetë dhe nuk dua t’i hyj fare shifrave, por nuk pashë që këto media të kryenin një vëzhgim nëpër Tiranë dhe të na tregonin se si lokalet dhe bizneset e ndryshme kanë uzurpuar trotuaret ku të kalosh duket mision i pamundur. Pra, ndoshta në Romë bizneset paguajnë më pak se në ish-bllok, por nuk besoj se në Romë kalimtarëve i’u bllokohen plotësisht trotuaret!
Po ç’rëndësi ka kjo…mjafton t’i biem, se kështu na e do puna!
Pe ti ndonjë që ishte në protestat e shoqërisë civile te protesta kundra rritjes së taksave? Apo shpif shpif se diçka do te ngelet. Ishe ti në protestën e kësaj të diele? Po “PD-ja” jote i vazhdoi më protestat e vjedhura për parkun? Më duket se ti je në grupin e këtyre “gjithë-kritikuesve” që duhet të kritikojnë këdo, edhe kur ata po të shpëtojnë ty e të tjerët duke shpëtuar parkun.