Gati 3 mijë e 600 biznese të tjera janë futur në listën e borxhlinjve të këqij në tatime në harkun e muajve janar-maj. Të dhënat nga Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve tregojnë se nga 28 mijë e 13 fund-vitin e shkuar, numri i bizneseve me borxh tatimor arriti në 31 mijë e 610 në fund të muajit të shkuar duke u zgjeruar kështu me 12.8 për qind.
“Dy janë vështirësitë kryesore. E para rritja e kostos së punës dhe e dyta zhvlerësimi i euros. Rënia e kursit të këmbimit ul të ardhurat e tyre. Në momentin që bien të ardhurat ai do përpiqet të uli kostot. Dhe si ulen kostot. Një nga format është duke mos paguar sigurimet”, tha eksperti kontabël, Armand Hasko.
Në përpjekje për të ulur shpenzimet, disa biznese që kryesisht aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me eksportet po eksplorojnë forma të reja për t’iu shmangur detyrimeve tatimore. Vetëm pak ditë më parë Administrata Tatimore zbuloi një skemë ku shoqëri, që operojnë në sektorin fason, hapin dhe mbyllin NIPT-e, transferojnë aktivitetin nga një emër në tjetrin me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe mospagesën e sigurimeve shoqërore ndaj punëmarrësve.
“Ky fenomen që është konstatuar nga DPT, unë besoj se ka ndikuar barra fiskale si pasojë e rritjes së sigurimeve shoqërore, por duhet të pranojmë se është edhe kulturë e kultivuar në vite”, nënvizoi Hasko.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se në total sipërmarrjet shqiptare i detyrohen për taksat e pashlyera në kohë plot 146.8 miliardë lekë, në fund të 2022-it, apo gati 1.3 miliardë euro, nga 134.9 miliardë që ishte fatura në fund të vitit 2021.
a2news